Erion Veliaj: Dorëhiqem nëse uji në Tiranë është më i shtrenjtë se Pogradeci dhe Korça


Erion Veliaj: Dorëhiqem nëse uji në Tiranë është më i shtrenjtë se Pogradeci dhe Korça

22:35 24/09/2020

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj thotë se 70% e territorit të kryeqytetit ka ujë 24 orë në ditë. Ndërsa për pjesën tjetër të territorit që nuk mbulohet ende me këtë furnizim, kryebashkiaku thekson se do ta mbajnë premtimin e bërë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Erion Veliaj ka folur edhe për çmimin e ujit. Në këtë pikë, ai ka hequr bast se çmimi i ujit në kryeqytet është më i lirë se në Korçë, Pogradec dhe Kamzë.

“Për çështjen e çmimit, është më i lirë se në Korçë, është më i lirë se në Pogradec, madje është më i lirë se në Kamzë. Në Kamzë është 67 Lekë. E ka ujin në pjesën më të madhe 24 orë, dhe prapë paguan më pak se Kamza dhe sa gjysma e Korçës dhe Pogradecit. Nëse çmimi i ujit nuk është më i lirë se Pogradeci dhe Korça, unë jap dorëheqjen si kryetar Bashkie. Është sa gjysma”.

Ndërkohë që pak minuta më vonë, gazetarit Blendi Fevziu i mbërriti një SMS në celular, ku e njoftonin se Pogradeci nuk ka ujë më të shtrenjtë se Tirana, ndërsa Korça ka ujë 24 orë në ditë në të gjithë territorin e saj në ndryshim nga kryeqyteti.

Kryebashkiaku Veliaj u përgjigj duke thënë se Korça është një qytet me madhësi sa vetëm një njësi administrative në Tiranë.

“Korça është më e vogël se Njësia 5. Se nuk po flasim për qarkun, po flasim vetëm për një qytet. Korça është më e vogël se Njësia 5. Më lër mua vetëm kryetar bashkie të një Njësie, të bllokut, edhe e qaj unë Njësinë 5. Qëllon që detyra ime është pak më komplekse. Ajo që po them është që çmimi në Korçë mundësoi ujin 24 orë. Unë se kam bërë 110 lekë sa Korça, por është më i lirë se Kamza dhe prapë 70% kemi pasur sukses”.   /tvklan.al






Të ngjashme