Estrada Tiranës – (9 Shkurt 1999)


Estrada Tiranës – (9 Shkurt 1999)

22:43 09/02/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Aktorët e Estradës së Tiranës bojkotojnë shfaqjet. Bëhet mëse dy javë që asnjë nga aktorët e estradës nuk ka dalë në shfaqje përpara spektatorëve të Tiranës. Heqja e shpërblimit prej 90% nga shitjet e biletave i ka hedhur ata në një grevë të padeklaruar. Sot në mëngjes shumë prej artistëve të Estradës së Tiranës qëndrojnë në pritje të plotësmit të kërkesave të tyre në korridoret e teatrit.

Blendi Gonxhe:- “Shteti Shqiptar dhe Qeveria Shqiptare kishte praktikuar 4 vitet e fundit qe 90% të këtyre të ardhurave t’ia u jepte atyre që e kryenin këtë aktivitet. Të gjitha institucionet kanë nevojë për fonde dytësore, të gjitha institucionet dhe ato që kryejnë aktivitete kanë nevojë për shpërblime, sikurse kanë nevojë dhe godinat e tyre për riparime nga këto fonde”.  

Në verën e vitit 1998 Qeveria Shqiptare ndryshoi vendimin që aktorët mund të përfitonin 90% nga shitja e biletave. Greva e Teatrit Kombëtar e bëri Ministrinë e Financave të shihte mundësinë e rishpërblimit të aktorëve. Por deri tani project-vendimi nuk është nënshkruar nga Ministri i Financave Angjeli. Në këtë konflikt tani ka hyrë dhe Ministria e Kulturës përfaqesuesja e së cilës kërkon që institucionet që varen prej tyre të përfitojnë 100% të fondeve dytësore.

Blendi Gonxhe:- “Ne mendojmë që koncepti i decentralizimit është më i miri në këtë rast dhe mendojmë që nëqoftëse 100% të fondeve do i ngelej institucioneve dhe pastaj Ministria e Kultures si pjese e kesaj Qeverie si institucioni që kontrollon këto institucione do të përcaktonte politikat financiare për institucionet kulturore dhe sportive. Mendoj që kjo nuk do të hynte aspak në raportet brenda qeverisë dhe do të ishte një zgjidhje krejt optimale”.

Rrogat e artistëve shqiptar nuk e kalojnë shumë prej 150 mijë lekësh të vjetra. Derisa problem i shpërblimit të tyre të jetë zgjidhur përfundimisht do të na duhet të shohim skena të tila bosh./tvklan.al






Të ngjashme