Et’hem Ruka intervistë – (19 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Nesër mijëra nxënës në të gjithë Shqipërinë do të ulen në bankat e shkollës. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Et’hem Ruka ka treguar sot për median ç’është bërë gjatë këtyre muajve të Verës në të gjithë sistemin e arsimit parauniversitar.
Et’hem Ruka, Ministri i Arsimit:- “Nesër fillon viti shkollor për të gjithë sistemin parauniversitar në Shqipëri, që do të thotë shkollat 8-vjeçare, shkollat e mesme. Numri i nxënësve që përfshihet në sistemin parauniversitar është disa qindra mijëra. Praktikisht në kopshte janë të angazhuar 82 mijë fëmijë, në shkollat 8-vjeçare rreth 560 mijë, në shkollat e mesme rreth 95 mijë nxënës sigurisht në arsimin e përgjithshëm dhe në arsimin profesional. Dëshiroj të theksoj që fillimi i vitit shkollor është një festë kombëtare sepse është një rimarrje shpirtërore jo vetëm për nxënësit por për të gjithë shoqërinë shqiptare. Kam kënaqësinë të deklaroj që ky vit mësimor fillon në kushte shumë më të mira sesa vitet paraardhëse nga pikpamja e mjediseve shkollore, pajisjeve të tyre, nga përmiresimi që kanë pësuar kurrikulat, nga një trajtim me i mirë material i mësuesve që punojnë në sistemin parauniversitar. Këtë vit shkollor por dhe vitin e kaluar janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e mjediseve shkollore në ndërtimin e objekteve të reja. Nëqoftëse do të flisja me gjuhën e shifrave gjatë këtij viti ka patur financime të rëndësishme nga buxheti i shtetit gjithashtu edhe për shkak të dëmtimeve që pësuan mjediset shkollore, janë bërë shtesa të konsiderueshme fondi të cilat kanë shkuar në një përmirësim të dukshëm të këtyre lokaleve. Praktikisht nga buxheti i shtetit janë investuar 1 miliard e 350 milion lekë kurse shtesat kapen 560 milionë e 400 mijë lekë, pra ne total është një shifer që shkon rreth 2 miliard lekë. Dhe nga këto pare kane përfituar arsimi parashkollor 8-vjeçar, i mesem dhe ai i lartë. Në arsimin 8-vjeçar janë rihabilituar rreth 140 objekte shkollore që është ekuivalente me 1300 klasa të reja ose ku do të ulen rreth 55 mijë nxënës në këto shkolla të rregulluara. Në drejtim të teksteve shkollore është bërë një punë shumë e madhe me gjithë vështirësitë që u krijuan gjatë këtij viti, meqënëse një kontigjent i madh tekstesh u destinua për fëmijët që erdhën nga Kosova. Tekstet e arsimit 8-vjeçar kanë përfunduar plotësisht, janë paketuar mesa kam informacione janë shperndarë në të gjithë Shqipërinë, shitja është zhvilluar normalisht. Ka një vonesë të vogël për tekstet e arsimit të mesëm meqenese këto tekste do të tenderohen me fondet e Bankës Botërore dhe UNHCR-së. Ky vit shkollor ka mjaft novitete në ndryshimin e kurrikulave, në decentralizimin e shkollës dhe besoj që një nga reformat më të thella që po pëson veçanërisht arsimi parauniversitar është ai i shkollës së mesme, sepse siç jeni në dijeni në rreth 11 rrethe të vendit do të futen në një program pilot rreth 15 shkolla për profilizimin e arsimit të mesem. Ne dëshirojmë që shkolla të mos jetë një vend, nuk do përdorja fjalen torturë por sforcimesh për nxënësit, por të jetë një mjedis ku nxënësi të gjejë veten mbi bazën e talenteve dhe dhuntive të tij”’./tvklan.al