Et’hem Ruka intervistë për grevën e mësuesve sindikalistë (11 Janar 1999)
Mësuesit sindikalistë kanë kërcënuar Ministrinë e Arsimit për ndërprerjen përfundimtare të mësimdhënies nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritjen e rrogave në masën 20% dhe për uljen e taksës së solidaritetit për punonjësit e Rendit. Ministri i Arsimit Et’hem Ruka e konsideron jo normal vendimin e sindikalistëve të arsimit për t’u hedhur në grevë ditën e mërkurë ndërkohë që bisedimet mes palëve janë në proces.
“Kjo është një e drejtë demokratike e sindikatave. Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje që mos të bëjnë asnjë grevë qoftë një orëshe apo një ditore përderisa jemi në fazën e negociatave. Këto negociata do të jenë shumë intensive gjatë kësaj jave. Nuk është mungesa e dëshirës për t’u rritur pagën 20% apo 30%, është problemi i mundësive të financës që ka vendi dhe siç e dimë qeveria do t’i rrisë të gjitha rrogat në muajin prill në masën 10%. Ne po përpiqemi dhe po mundohemi të shikojmë një zgjidhje më të diferencuar për arsimtarët në Shqipëri.”– u shpreh ministri Ruka./tvklan.al