Eto’o bast 100 mijë euro


Eto’o bast 100 mijë euro

07:40 19/10/2016

Edhe pse gjendet në vendin e fundit të Superligës Turke, sulmuesi kamerunas Samuel Eto’o është i bindur se skuadra e tij Antalyaspor, në fund të sezonit do të renditet ndër 10 ekipet e para të kampionatit.

Në ndeshjen e fundit që u luajt këtë të hënë ndaj Caykur Risezpor, Antalya mund të kishte arritur fitoren e parë të sezonit, por doli nga ndeshja me një barazim.

Eto’o është afruar për të folur me disa prej tifozëve të mërzitur me ecurinë e ekipit. Ai jo vetëm i premtoi atyre se do ta përfundonin kampionatin në 10-shen e më të mirëve, por është i gatshëm të vërë bast 100 mijë euro për këtë.

Sipas shtypit turk një prej tifozëve Mehmet Akdeniz, e ka pyetur Eto’o se si do të paraqitet ekipi në dy ndeshjet e radhës me Bursasporin e vendit të 4 dhe me Beshiktashin e vendit të dytë, dhe se kur do të vijë fitorja e parë.

Eto’o i cili i është përgjigjur nëpërmjet përkthyesit, i ka thënë se nëse Antalyaspor nuk e përfundon kampionatin ndër 10 vendet e para atëherë ai do ti japë tifozit 100 mijë euro.

Mediat turke raportojnë që Eto’o më pas ka marrë edhe emrin dhe numrin e këtij tifozi.

Mehmet Akdeniz me siguri që do të jetojë në ankth deri në fund të sezonit dhe me dilemën: të kënaqet me ekipin në 10 vendet e para apo me 100 mijë eurot e Eto’o./ TV KLAN






Të ngjashme