Euro arrin në 122 Lekë, Leku mposht të gjitha monedhat


Euro arrin në 122 Lekë, Leku mposht të gjitha monedhat

15:37 20/12/2018

Euro ka arritur në kursin e këmbimit nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit, duke shkuar zyrtarisht në 122 Lekë. Kjo është rënia më e madhe e monedhës europiane gjatë një dekade, duke thelluar më tej rekordin e vendosur ditë pas dite në muajin Dhjetor. Në 1 Dhjetor, 1 Euro këmbehej me 124.26 Lekë, ndërsa sot ajo ka arritur në nivelin 122.98 Lekëve.

Burime pranë Bankës së Shqipërisë bëjnë me dije se program i miratuar që në Qershor nga Këshilli Mbikëqyrjes për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në kursin e këmbimit nuk është shfuqizuar, por gjatë kësaj periudhe Banka Qendrore nuk ka ndërhyrë në treg, pasi nuk e sheh dobësimin e monedhës Euro si një rrezik për nivelin e inflacionit.

Nga burime zyrtare mësohet se vija e kuqe që kërcënon inflacionin është momenti që monedha europiane do të bjerë nën 120 Lekë. Si shkak kryesor për forcimin e Lekut, i cili ka dobësuar të gjitha monedhat e tjera, përfshirë Dollarin dhe Paundin britanik, Banka Qendore evidenton festat e fundvitit, ku rriten shpenzimet e qytetarëve për blerje, si dhe flukset që vijnë nga të huajt dhe emigrantët.

Për 6 muajt e parë të vitit, Banka e Shqipërisë bleu në tregun vendas 128 milion Euro, ku më shumë se gjysma e tyre shkuan për të balancuar nivelin e kursit të këmbimit.

Tv Klan






Të ngjashme