Meta bllokon Eurobondin
“S’ka emergjencë, mungojnë të dhënat për kostot”
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka refuzuar të japë pëlqimin për miratimin e shpejtë të projektligjit për emetimin e Eurobondit, duke bllokuar përkohësisht procesin e qeverisë për të dalë në tregjet ndërkombëtare e për të marrë 650 milionë euro hua.
Një ditë më parë, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në parim kalimin e draftit për Eurobondin dhe disa orë më pas kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër Presidentit ku i kërkon dhënien e pëlqimit paraprak për miratimin e ligjit, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi menjëherë ditën e enjte, pas votimit në seancë plenare.
Kërkesa e kryeparlamentarit mbështetej në emergjencën e procesit të emetimit të Eurobondit dhe situatës në tregjet e huaja.
“Me qëllim arritjen e daljes me Eurobond gjatë muajit Qershor lind domosdoshmëria e hyrjes në fuqi menjëherë e ligjit.”
Por presidenti nuk e konsideron situatën si emergjente, pasi sipas tij, qeveria e kishte planifikuar prej kohësh një dalje në tregjet financiare dhe kishte të gjitha mundësitë për të ndjekur procesin e rregullt të miratimit të tij. Ilir Meta po ashtu shpreh shqetësimin në partnerët e përzgjedhur nga qeveria në këtë proces dhe kërkon mendimin që ka dhënë për të Avokatura e Shtetit.
Ai po ashtu është skeptik për miratimin e heqjes dorë nga imuniteti në këtë ligj dhe kostove të interesave që mund të ofrojnë tregjet, duke dëmtuar ekonominë e vendit. Ndërsa e konsideron të paarsyeshme edhe faktin që procesi i Eurobondit do të bashkëudhëhiqet edhe nga Ministri i Rindërtimit, kur kjo është një e drejtë ekskluzive e Ministrit të Financave.
“Në mbrojtje të interesave publike që lidhen me financat e shtetit, si dhe për të mos lejuar që në kushtet e urgjencës të realizohen vendimmarrje të papërshtatshme për Shtetin shqiptar, ka vendosur të mos japë pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë për këtë projektligj.”
Por në vitin 2018 Meta dha pëlqim për miratimin e shpejtë të ligjit për Eurobondin, duke pranuar edhe marrëveshjen e heqjes dorë nga imuniteti.
Nëse projektligji do të kalojë procedurën e rregullt, atëherë Presidenti ka 20 ditë kohë për të shprehur mendimin nëse e dekreton ose jo atë, çka vonon procesin e daljes së Shqipërisë në tregje.
Presionet për marrjen e shumës 650 milionë euro janë rritur mbi qeverinë, pasi në muajt Mars, Prill dhe Maj buxheti nuk ka arkëtuar të ardhurat që priste, si pasojë e goditjes së ekonomisë nga pandemia, ndërsa shpenzimet janë shumëfishuar.
Tv Klan