“Europa bën terrorizëm fetar”
Ministri i Jashtëm turk sulmon Francën
Tensionet mes vendeve islame dhe Francës u qetësuan disi pas tërmetit që goditi Izmirin dhe dy Presidentët Erdogan e Macron patën një bisedë telefonike, por Turqia nuk heq dorë nga ajo që e quan ‘terrorizëm fetar’. Pas takimit që pati me ministrat e Jashtëm të 13 vendeve të Europës Juglindore, kryediplomati turk Mevlut Cavusoglu sulmoi sërish Parisin.
“Në Francë tani po thonë që liria nuk ka kufi. Me këtë ide në librat që përdoren në shkollë ka pjesë që nuk mund të pranohen nga ne për fenë apo për mënyrën e jetesës. Kjo ka shqetësuar familjet myslimane në Francë dhe fëmijët të cilët janë të detyruar t’i mësojnë. Kjo nuk është liri. Ky është element i terrorizmit fetar që mbizotëron në Europë me në krye Francën. Kjo është dyfytyrësi që nuk mund ta pranojmë”.
Ministri i Jashtëm turk akuzoi edhe Bashkimin Europian se mbron Francën duke i dhënë zë kështu propagandës së tyre.
“Kam edhe shumë gjëra për të thënë por nuk po flas më sepse nuk dua që të dal nga vetja”.
Konflikti mes botës islame dhe Francës ka ndikuar edhe në ekonomi pas thirrjes që krerët e shteteve u bënë qytetarëve që mos të blejnë më produkte franceze. Kriza ka prekur marka të famshme të veshjeve si Luis Viton, Pierr Carden apo edhe rrjetin e supermarketeve Carefour ku qytetarët nuk po blejnë më.
Në konferencën para gazetarëve, Cavusoglu komentoi edhe procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tha se temë diskutimi me Presidentin që do të zgjidhet do të jetë çështja FETO, pasi sipas tij dy administratat e mëparshme nuk i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Turqisë për të ekstraduar klerikun Fetullah Gylen.
Klan Plus