Facebook dhe Twitter bllokojnë Donald Trump
Donald Trump është pezulluar nga Twitter dhe Facebook pasi iu drejtua me një mesazh mbështetësve të tij, të cilët sulmuan Capitol Hill. Në video, Trump shfaqej duke i thënë protestuesve “ju dua” përpara se t’u thoshte atyre të shkojnë në shtëpi. Gjithashtu ai përsëriti pretendime false rreth zgjedhjeve.
Twitter deklaroi se ka kërkuar heqjen e 3 tweet-eve për shkak të shkeljes së politikave të saj. Kompania tha se llogaria e Presidentit do të qëndrojë përgjithmonë e mbyllur nëse nuk hiqen ato postime.
“Thyerje të tjera të rregullave të Twitter do të sjelle në bllokimin e përhershëm të llogarisë @realDonaldTrump”, tha Twitter.
Ndërkohë, Facebook ndëshkoi Trump për 24 orë. Edhe YouTube mori masa dhe hoqi videon.
“Në e hoqëm videon pasi besojmë se në vend që të kontribuonte në zgjidhjen e dhunës, rrezikonte shtimin e saj”, thuhej në një reagim të Facebook-u.
Mbështetësit e Donald Trump mësynë në Kongresin Amerikan dhe u përplasën me policinë të mërkurën për të ndaluar certifikimin e Joe Biden si fitues i zgjedhjeve.
Për shkak të dhunës, kanë humbur jetën gjithsej 4 persona, ndërsa janë arrestuar deri më tani 52 të tjerë./tvklan.al