Facebook u përdor nga Rusia
Facebook thotë se ka zbuluar një fushatë të financuar nga Rusia që promovonte mesazhe politikë përçarëse në rrjetin social. Kompania thotë se janë paguar 150 mijë dollarë për 3 mijë reklama për një periudhë 2-vjecare, e cila përfundoi në maj të këtij viti.
Postimet e financuara nuk mbështesnin ndonjë figurë politike në veçanti, por kishin të bënin me tema si imigracioni, raca dhe barazia e të drejtave. Facebook thotë se ia ka dorëzuar provat prokurorit special Robert Mueller i cili po heton për ndërhyrjet e mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Mesazhet publicitare në Facebook i dërgonin përdoruesit në rreth 470 llogari që përhapnin informacione të rreme, ose binin ndesh në mënyra të tjera me rregullat e rrjetit.
“Këto reklama dhe këto llogari kishin qëllim të përhapnin peërçarje sociale dhe politikë në të gjithë spektrin ideologjik”, tha Facebook në një postim të mërkurën.
Kompania tha gjithashtu se beson, por nuk mund ta provojë, se fushata është e organizuar nga e ashtuquajtura Agjencia e Kërkimeve të Internetit më bazë në Shën Pjetërburg, që njihet për postime pro-Kremlinit në mediat sociale.
Llogaritë e përmendura tashmë janë mbyllur. Fushata u zbulua nga një hetim i brendshëm që nisi facebook për të zbuluar nëse rrjeti ishte shfrytëzuar për të ndërhyrë dhe ndikuar gjateë fushatës presidenciale amerikane.
Në ditët që pasuan zgjedhjen e Trump president, Facebook dhe Mark Zuckerberg u vunë përpara kritikave shumë të ashpra se nuk e kishin marrë çështjen me seriozitetin e duhur. Zuckerberg tha atëhere se ideja që facebook kishte ndikuar në shtrembërimin e rezultateve të zgjedhjeve ishte një ide e çmendur. Tv Klan