Fadi Mitri vjen në Shqipëri, biznesmeni: Investimin e kam mbyllur përfundimisht
Biznesmeni Fadi Mitri, që u rrah barbarisht në rrugën Tiranë- Rinas, pas 28 ditësh erdhi për të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij që jetonte prej vitesh në Shqipëri.
Shenjat e dhunës janë ende të dukshme edhe pse ka kaluar më shumë se 1 muaj nga sulmi ndaj tij. Ka preferuar të mos flasë për atë që ndodhi me 10 Shtator, por tha prerazi se nuk do të rrijë më këtu.“Fatkeqësisht nuk do të qëndroj më në Shqipëri, tashmë e kam lënë.”
Mitri u largua me 20 Shtator nga Rinasi me një avion sanitar dhe thotë se nuk ka folur më me autoritetet shqiptare që nga data 14 Shtator dhe nuk është në dijeni nëse ka ndonjë të ndaluar.“Jo nuk kam folur me autoritetet shqiptare, hera e fundit ka qenë në datën 14 Shtator, kur policia më mori dëshminë. Nuk jam në dijeni që autorët janë ndaluar.”
Kompania “Omnix Albania” që përfaqësohej nga Fadi Mitri, do të investonte 450 milionë dollarë në Gjirin e Lalzit. Por ky investim është tërhequr përfundimisht.“Investimi ka përfunduar. Udhëzimet nga Katari dhe Dubai janë mbyllur.”
Fadi Mitri qëndroi në spital për 10 ditë. Policia fillimisht ndaloi tre persona për këtë ngjarje, por arrestoi vetëm Skënder Krajën, i cili u mbajt në burg për akuzën e mbajtjes së lëndëve narkotike. Tv Klan