Fajdet alarmojnë Partinë Socialiste (16 Mars 1999)


Fajdet alarmojnë Partinë Socialiste (16 Mars 1999)

09:10 16/03/1999

Protestat e kreditorëve vlonjatë për kthimin e parave kanë rindezur debatin në Grupin Parlamentar Socialist. Deputetët socialistë i kanë kërkuar Qeverisë të rikthejë në Parlament Projektligjin e Transparencës për të vënë para përgjegjësisë njerëzit që kanë përfituar padrejtësisht miliona lekë para mbylljes së skemave piramidale.

Ish Ministri i Financave Arben Malaj akuzoi Prokurorinë dhe Forcat e Rendit që kanë lënë të lirë presidentët e kompanive huamarrëse duke i shpëtuar procesit të transparencës.As gjysma e personave të shënuara nëpër lista vijoi Malaj nuk janë hetuar. Deputeti Jupe tha se duhet t’i dalim për zot këtij problemi pasi fajdet kanë kosto politike për qeverisjen socialiste. Deputetët socialistë kanë vendosur që Kryembikqyrësi i fajdeve Farudin Arapi të informojë Parlamentin në përgjigje të kërkesave të kreditorëve.

Ndërkohë për protestat e kreditorëve vlonjatë parlamentari Gramoz Ruci shprehet: “S’ka kënaqësi që nga 100 lekë të marrësh 5 lekë. Kënaqësia është që t’i marresh të 100. Për këtë po luftohet dhe po punohet që të dalë maksimumi i mundshëm. Po para nuk mund të pjellë as komisioni i transparencës as firmat e huaja që kanë ardhur këtu dhe as Qeveria nuk mund të heqë para nga pjesa tjetër e shqiptarëve t’u japë atyre që kanë humbur paratë. Ministri Angjeli, Ministri i Financave, apo Qeveria duhet t’i përgjigjet interesimit të publikut dhe të parlamentarëve.“/tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame






Të ngjashme