Fakulteti Ekonomik i përmbytur, studentët bojkotojnë mesimin – (20 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Këto janë pasojat e shiut më të fundit. Sa herë që bie shi, fakulteti Ekonomik përmbytet. Përveç ujit të shiut, në këto ambiente vërshojnë edhe ujërat e zeza të dalë nga wc e katit të parë. Kanali i planifikuar për thithjen e ujërave duket se nuk arrin të kryejë këtë funksion, pasi përveç fakultetit këtu janë shtuar ndërtimet të cilat mund të kenë bllokuar tubacionin e shkarkimit.
Sot për herë të parë studentët janë bërë bashkë me Këshillin Studentor dhe Unionin Demokratik Shqiptar Studentor dhe kanë bojkotuar mësimin me afat të pacaktuar. Drejtuesi i Lëvizjes Studentore Arjan Saliaj thotë:
Arjan Saliaj:- “Fakulteti është pa xhama, klasat janë pa katedra, katedrat janë të shkatërruara, pa karrige, dmth. kushtet janë skandaloze. Këtu kushtet e mësimdhënies janë katastrofike. Ndaj dhe ne si organizatë studentore, vendosëm krijimin e komisionit të lëvizjes studentore, vendosëm të bëjmë bojkotimin e mësimit pa afat”.
Ndërsa dekani i fakultetit Dhori Kule, tregon se janë drejtuar në disa institucione për zgjidhjen.
Profesori Dhori Kule:- “E kemi bërë evident problemin në instancat që kanë të bëjnë dhe duhet të marrin masa për këtë problem, por ka një pakujdesi që shkon deri në papërgjegjësi”.
Kjo grevë do të zgjasë pa afat derisa studentëve, të mos iu duhen më varka për të shkuar në shkollë./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti