Familja Bajrami nga Kosova – (28 Prill 1999)


Familja Bajrami nga Kosova – (28 Prill 1999)

16:09 28/04/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Familjet shqiptare të shpërngulura me dhunë nga Kosova përveç vuajtjeve dhe mundimeve të një rrugge të gjatë e të rrezikshme mbartin edhe dramat e tyre. Familja Bajrami nga komuna e Istogut, e cila ka ardhur në Tiranë vetëm pak ditë më parë tregon për fatkeqësinë e saj. Një nga djemtë e kësaj familje ushtar i UÇK-së tani nuk jeton më.

Kryefamiljari Bajrami:- “Duke ec në male kam parë djalin tim. E kishin kapur tri pliumba në zemër, një në vesh dhe një në këmbë. E kam gjetur shtrirë, ka ndejtë dy ditë përmbi dhe e më pas e kam varrosur bashkë me një djalin e hallës time që ishte po i vrarë aty”.

Nusja Bajrami:- “Më tregoi vjerri. Më tha bëhu e fortë burrin ta kanë vra. Në atë moment nuk e di, ishte shumë vështirë, vetëm të më ndihmonte zoti. As e kam pa, nuk di ku e kan vrarë nuk di a do mund të shkoj tek varri i tij. Nuk e di vajzën ma la të vogël”.

Elinda e vogël vëtëm 3 muajshe nuk do ta njoh kurrë të atin. Ndërkohë edhe dy djemtë e tjerë të familjes Bajrami janë luftëtar të UÇK-së. Njëri prej tyre i plagosur ndodhet pranë familjes.Ai tregon se ndodhej në spitalin ushtarak dhe rastësisht është takuar me të atin./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme