Familja e 29-vjeçarit bën kallëzim për vrasje
Familjarët e 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj kanë depozituar në drejtorinë e policisë së Lezhës një kallëzim për vrasje.
Ata pretendojnë se i afërmi i tyre ka gjetur vdekjen, pasi është dhunuar barbarisht nga autoritet policore greke.
Instituti i Mjekësisë Ligjore pas autopsisë së kryer dy ditë më parë, pritet të nxjerrë dhe konkluzionet për të përcaktuar se kush ka qenë shkaku i vdekjes së emigrantit shqiptar.
Familjarët shprehen se në trupin e Pëllumbit janë vërejtur shenja të shumta dhune.
Avokatja greke e 29-vjeçarit Maria Konstantopoulou, fajëson autoritetet spitalore greke që nuk i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore, gjithashtu fajëson dhe policinë për ngjarjen e ndodhur.
Djali i xhaxhait të 29-vjeçarit, Besnik Marnikollaj, i tha Tv Klan në telefon një ditë më parë se ka qenë vëllai i viktimës Artani, që me ndihmën e një avokateje greke ka arritur të gjejë trupin e Pëllumbit me datën 12 Gusht në varrezat e “Agio Anargioro” në Athinë, për të cilin policia greke fillimisht ka mohuar të kishte dijeni.
Sipas tij, policia greke ka refuzuar të bashkëpunojë. Kontaktet me Pëllumbin familja i kishte humbur që në orën 1 të datës 3 Gusht, ku 29 vjeçari ishte paraqitur në fillim të muajt sipas urdhërit të gjykatës për të firmosur.
Mesditën e sotme në Rrilë të Lezhës miq, të afërm dhe banorë të zonës i kanë dhënë lamtumirën e fundit Pëllumb Marnikollajt.
Tv Klan