Familja e gazetares Marie Colvin akuzon Sirinë për vdekjen e saj
Familja e Marie Colvin, gazetares amerikane, e cila ka vdekur në Siri katër vjet më parë, ka paditur regjimin e presidentit Bashar al-Assad. Të afërmit e saj thonë se kanë prova se ajo ishte vrarë si pjesë e një politike me qëllim vrasjen e gazetarëve.
Padia mbi vdekjen e saj është paraqitur në një gjykatë të qarkut në Washington DC. Colvin ishte duke raportuar nga zona e mbajtur nga rebelët e Baba Amr, në Homs, në shkurt 2012, kur ajo u vra nga artileria e qeverisë.
Vetëm pak më parë, ajo bëri transmetimet e drejtpërdrejta për BBC, Channel Four dhe CNN.
“Unë pashë një fëmijë të vogël të vdekur sot,”
tha ajo, duke folur mbi fotot e një fëmije i cili ishte goditur nga një plumb snajper.
“Kjo është ajo që po ndodh.”
Colvin, korrespondentja e famshme për Sunday Times në Londër, tha për BBC se forcat e presidentit Assad janë duke sulmuar pamëshirshëm civilët.
Ajo gjithashtu raportoi për CNN se ishte një gënjeshtër e madhe se ata po shkonin pas terroristëve. Ushtria siriane është thjeshtë duke bombarduar civilët e uritur.
Colvin ka mbuluar shumë konflikte të përgjakshme, duke hedhur dritë mbi vuajtjet e civilëve./tvklan.al