Familjarët e 29 – vjeçarit Marnikollaj, të enjten protestë para Ambasadës greke
Ashtu siç kishin paralajmëruar, familjarë të 29 – vjeçarit Pëllumb Marnikollaj dhe qytetarë, ditën e nesërme, në orën 11:00 të paradites do të mbajnë një protestë tek blloku i ambasadave, pranë ambasadës greke në Tiranë.
Qëllimi i kësaj proteste është drejtësi për vdekjen e të riut shqiptar nga Rrila e Lezhës, në një komisariat policie në Greqi. Pëllumb Marnikollaj, i cili jetonte si emigrant në Greqi, humbi jetën në rrethana ende të paqarta në stacionin e policisë në Athinë, në fillim të muajit Gusht. Ai ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 7 vite burg dhe prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar, duke e lënë në detyrim paraqitje. Me datën 3 Gusht, me kërkesë të policisë greke, Marnikollaj ishte paraqitur në komisariat, ku pas disa orësh gjeti dhe vdekjen. Pas disa ditësh kërkime, trupi i pajetë i emigrantit u gjet në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro”, gati për t’u varrosur, duke u klasifikuar si kufomë pa identitet. Familjarët e 29 - vjeçarit pretendojnë se i afërmi i tyre ka gjetur vdekjen pasi është dhunuar barbarisht nga autoritetet policore greke. Por kjo e fundit i ka mohuar këto akuza. Pak javë më parë, policia helene deklaroi se nga ekspertiza paraprake, në trupin e Marnikollaj janë konstatuar dëmtime në kokë dhe hemoragji e brendshme, që mund të kenë ardhur nga rënia nga një lartësi e madhe. Sipas versionit të policisë greke, më datën 3 Gusht, rreth orës 14:30, Marnikollaj është hedhur nga dritarja, pasi e kuptoi se do ta arrestonin. Sipas autoriteteve greke, për Pëllumb Marnikollaj kishte urdhra të tjera arresti, që duheshin zbatuar./tvklan.al