Fati tragjik i 9 minatorëve të groposur prej 2 javësh nëntokë


Fati tragjik i 9 minatorëve të groposur prej 2 javësh nëntokë

20:20 25/01/2021

9 minatorë kinezë u gjetën të vdekur, një ditë pasi 11 prej kolegëve të tyre u shpëtuan. Ata kishin mbetur të bllokuar prej 2 javësh në një minierë ari në provincën e Shandong. Lajmi u konfirmua për mediat vendase nga Kryebashkiaku i qytetit të Yantai. Një minator nuk është gjetur ende. Të dielën pati gëzim të madh, kur 11 minatorë u nxorën gjallë në sipërfaqe.

“Prej pasdites të së dielës deri më tani, ekipet e shpëtimit nuk kanë reshtur që kërkuari dhe gjetën edhe 9 minatorë të tjerë të bllokuar të cilët fatkeqësisht kishin vdekur të gjithë“, tha kryebashkiaku Chen Fei. “Së bashku me një minator që vdiq të enjten, trupat e 9 minatorët u nxorën të gjithë nga miniera”.

Puna për nxjerrjen e tyre pritej të zgjaste me javë, por të dielën në mëngjes një pengesë e madhe që bllokonte vrimën që po gërmonin për të mbërritur tek minatorët ra në fund, duke bërë që ekipet e shpëtimit t’i shpëtonin jetën punëtorëve.

I pari që u shpëtua kishte qenë i bllokuar në një pjesë tjetër të minierës, larg grupit prej 10 personash. Momenti kur ai u nxor jashtë u shoqëruar me brohorima. Atij iu mbuluan sytë për ta mbrojtur nga drita dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Shumë prej minatorëve të tjerë u panë duke ecur vetë, të ndihmuar nga ekipet e shpëtimit, ndërkohë që dërgoheshin në spital.

Minatorët po punonin rreth 600 metra nëntokë, kur një shpërthim, shkaqet e të cilit mbeten ende mister, dëmtoi hyrjen e minierës dhe ndërpreu çdo komunikim të punëtorëve me botën jashtë. Për një javë nuk pati asnjë shenjë jete. Më pas më 17 Janar, ekipet e shpëtimit ndjenë një prej litarëve që kishin futur nëpër gropa të ndryshme nëpër minierë që të tërhiqej. Pasi ulën poshtë letër e stilolaps, minatorët shkruajtën se ishin gjallë. Bëhej fjalë për një grup prej 12 personash, 11 të bllokuar në një vend dhe një tjetër i bllokuar diku tjetër.

Pas kësaj, kontakti me minatorin e 12 u humb, ndërsa një prej minatorëve që ishte në grupin e 11-tëshes kishte rënë në koma gjatë shpërthimit dhe u konfirmua i vdekur të enjten.

Një linjë komunikimi u vendos me grupin e minatorëve, të cilëve iu dërgua ushqim dhe ilaçe nëpërmjet një vrime të ngushtë, deri të dielën kur u bë e mundur nxjerrja e tyre në sipërfaqe./tvklan.al






Të ngjashme