Fatos Nano dhe Pandeli Majko në Kongresin e PASOK (22 Mars 1999)
Greqia përcolli këtë javë ngjarjen më të rëndësishme politike për Partinë Socialiste të njohur me emrin PASOK që rikryesohet nga Kosta Simitis. Ka qënë Kongresi i 5 i socialistëve greke mjedisi ku është bërë edhe më i shqueshëm dualiteti kryesues në lidershipin e Partisë Socialiste Shqiptare, e cila ndodhet në prag të Kongresit të saj.
Si përfaqësues i Partisë Socialdemokrate ish Ministri i Transporteve Gaqo Apostoli ka mbërritur një ditë me vonesë. E drejta protokollare për të kryesuar delegacionin e Partisë Socialiste i takoi Kryeministrit Pandeli Majko, i cili u shoqërua në këtë udhëtim nga anëtarë të kryesisë së partisë Kastriot Islami dhe Arta Dade.
Ndërkohë me ftesë nominale fluturoi për në Athinë dhe u vendos në Hotelin Hilton ish Kryetari socialist Fatos Nano. Ndërsa Majko me anëtarët e tjerë qëndruan në Hotelin Grand Britania. Nano dhe Majko u takuan me përfaqësues të delegacioneve të ardhura dhe me emra të njohur të politikës greke. Në emër të delegacionit shqiptar përshëndeti Kongresin zoti Pandeli Majko duke deklaruar mbështetjen ndaj kryetarit Simitis.
Paranteza që bëri zoti Majko si përgjigje ndaj një insinuate të krijuar nga diskutimi i ish Ministrit Anastasio Stefonis në lidhje me prezencën ushtarake të Turqisë në Pashaliman shkaktoi tërheqjen e vemëndjes dhe më pas duartrokitjen e sallës. Kryeministri Majko bashkë me Kastriot Islamin dhe Arta Daden zhvilloi një takim me homologun grek Kosta Simitis dhe Sekretarin e Shtetit./tvklan.al