Fatos Nano, intervistë (30 Shtator 1999)
Intervistë me ish Kryetarin e Partisë Socialiste Fatos Nano në qytetin e Vlorës.
Gazetari: Për rizgjedhjen e kryetarit të ri të PS ju keni hedhur ide të reja për rinovimin e statutit të partisë, por keni hedhur ide të reja edhe gjatë kohës kur ju keni qënë Kryeministër edhe më përpara kur ju keni qënë në burg, por ju jeni akuzuar nga kundërshtarët tuaj si brenda partisë ashtu dhe jashtë edhe nga shtypi për mosvendosjen e tyre për zbatimin e këtyre ideve. Pse pikërisht tani duhet të besojë dhe elektorati dhe shtypi që ju do t’i zbatoni këto ide të reja që po i hidhni?
Fatos Nano: Më lejoni të rimarr atë të vërtetë që konstatuat dhe ju me pyetjen se një njeri që hedh vazhdimisht ide për të ecur përpara për të rinovuar një organizatë politike dhe politikën në tërësi nuk mund të ketë mungesë vullneti por në rastin më të keq mund të ketë mungesë partnerësh dhe mungesë vullneti kolektiv për ta realizuar këtë transformim të nevojshëm dhe modernizim të partisë dhe politikës shqiptare. Nga kjo pikëpamje unë jam në këtë fushatë pas shpalljes së objektivave që shoqëruan tërheqjën time nga drejtimi i partisë të cilat e vinin theksin tek nevoja për të gjetur partner të ri në gjirin e partisë dhe për të kontaktuar me vendimmarrësit e vërtetë të kësaj partie që janë anëtarësia, organizatat, strukturat dhe forumet në të cilat ajo e shtrin jetën në të gjithë vendin. Edhe sot është një rast i tillë shumë i mirë në vazhdën e të tjerëve ku ide për rinovimin e statutit që do ta çojnë partinë drejt një funksionimi më demokratik dhe më të ndërgjegjshëm kapen në ajër dhe mirëkuptohen, madje plotësohen nga këta njerëz që janë historia e gjallë e partisë, janë militantët, janë aktivistët e saj në 8 vitet e fundit dhe janë njerëz që drejtojnë partinë në nivel zone dhe rrethi. Pra janë faktorë shumë aktivë me të cilët përfundimisht do të duhet dhe është plotësisht e mundur të realizohen këto ndryshime. Dhe procesi i Kongresit është kuadri institucional më i përshtatshëm për të arritur këtë qëllim.
Gazetari: Së fundi në PS ashtu si dhe në partinë opozitare më të madhe në PD, janë rishfaqur kandidatura të tjera përveç jush dhe Berishës të shpallura tashmë zyrtarisht për kryetar të partisë. Mos ka ardhur koha që juve të jepni dorëheqjen që të mos kandidoni më?
Fatos Nano: Kushtëzimit të ndryshimeve në politikën shqiptare me çiftin Berisha-Nano, që gjithçka mund të jetë por vetëm çift nuk bëhet dot, atëherë unë mund t’i thosha me të njëjtën llogjikë që meqënëse largimi im nuk solli largimin e Berishës unë po rikthehem për të larguar Berishën dhe për të larguar “berishizmin” nga politika shqiptare dhe “berishizëm” ka dhe në PS dhe ky nuk jam unë si fenomen sepse nuk po flas për individë por po flas për sëmundjet të cilat duhen kururar, duhen çrrënjosur dhe ato çrrënjosen vetëm në rrugën e liberalizimit, forcimit të demokracisë së brendshme, të decentralizimit të autoritetit politik dhe atij të vendimmarrjes në mënyrë që të përfshihen sa më shumë aktorë në përballimin e përgjegjësive të administrimit të pushtetit politik dhe atij shtetëror. Një shtet demokratik do të thotë një shtet që ndërtohet sa më pranë njerëzve dhe nën kontrollin e tyre. Që të bësh një shtet të tillë duhet në radhë të parë të kesh një parti të tillë dhe unë nuk mund të tërhiqem pa realizuar një mision të tillë politik me të cilin kam lidhur investimin tim, jetën time dhe pse jo dhe sakrificën time në politikë.
Gazetari: Gjatë fushatës tuaj elektorale ju keni thënë që keni mbështetjen e bazës dhe sipas statutit, sipas gjithë normave demokratike zgjedhja e një kryetari të ri do të bëhet nga baza, normalisht po ta marrim gjithë procesin. Flitet për manipulim të listave të delegatëve në Kongresin e PS. Dini gjë juve për këtë?
Fatos Nano: Di që flitet dhe di që do të vazhdojë të flitet, di që ka njerëz që do të përpiqen ta bëjnë këtë gjë, di gjithashtu që përfundimisht anëtarë të PS, delegatët që ata po zgjedhin, drejtuesit që duan të rikonfirmohen me votëbesim nga anëtarët dhe delegatët nuk do ta lejojnë këtë gjë. Dhe mbi këtë bazë vazhdoj të jem i qetë dhe në kontakt me njerëzit që nuk do të lejojnë më të manipulohet e ardhmja e PS-së dhe e qeverisjes saj.
Gazetari: Nëse nuk fitoni, ç’do të bëni më vonë?
Fatos Nano: Do të vazhdoj të njëjtin proces, të njëjtin investim për modernizim dhe nuk mund ta bëj në asnjë shtëpi tjetër përveç shtëpisë sime që është Partia Socialiste./tvklan.al