Fatos Nano kthehet nga SHBA – (10 Shkurt 2000)


Fatos Nano kthehet nga SHBA – (10 Shkurt 2000)

18:46 10/02/2000

Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Autoritetet dhe politika shqiptare duhet ti përgjigjen me më shumë impenjime, rezultate, bashkëpunimit shqiptaro-amerikan dhe rolit të liderit të SHBA, për vazhdimin e një sër inisiativash. Kështu ka deklaruar sot kreu socialist Fatos Nano, sapo është rikthyer në shqipëri pas një qëndrimi disa ditorë në SHBA. Fatos Nano u shpreh se qeveria e SHBA kërkon rezultate konkrete dhe mbështet ata individë, ato forca e institucione që prodhojnë këto rezultate. Sipas Nanos duhet të kuptohen qartë prioritet e vazhdimit të sfidave nëpërmjet reformave institucionale.

Fatos Nano, kryetar i PS:- “Janë garancitë e rezultateve, garancitë e kthimit në realitete të dukshme dhe të prekshmë për qytetarët e këtij vendi, njëlloj si për partnerët tanë amerikan, të fruteve të qeverisjes, te fruteve të reformave institucionale, të forcimit të shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, për më shumë stabilitet, jo vetëm politik por edhe social e ekonomik në vend. Janë mesazhet e seriozitetit me të cilin ata ndjekin dhe kërkojnë edhe nga institucionet e politika shqiptare të bllokojnë faktorët negativë të së kaluarës. Te bllokojnë faktorët demtues të stabilitetit rajonal dhe që pengojnë kthimin e ballkanit në një zonë të qëndrueshme, ku dominojnë institucionet demokratike dhe standarteve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut”.

Kryetari i mazhorancës socialiste duke u përqëndruar dhe tek bisedimet me zyrtarët e lartë të organizmave ekonomike, si Banka Botërore dhe FMN deklaroi se këto dy institucione po përgatisin një skemë të re bashkëpunimi. Sipas tij ka mjaft ide të rëndësishme, si krijimi i një sistemi të qëndrueshëm bankar, të doganave dhe shërbimeve fiskale efikase, që do të krijonin qëndrueshmëri të valutës, vende punë dhe më pak tensione.

Ndërkohë përsa i përket qëndrimit të ndryshëm të përfaqësuesve të opozitës gjatë qëndrimit në SHBA, si dhe reagmit të shtypit të saj, Nano i ka cilësuar thjesht një paradoks./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme