Fatos Nano në Tepelenë (22 Shtator 1999)


Fatos Nano në Tepelenë (22 Shtator 1999)

11:18 22/09/1999

Nuk ndërtohet muri i Partisë Socialiste me tullat e vjehrrës së Majkos. Kështu ka deklaruar Fatos Nano sot në Konferencën e socialistëve të Tepelenës. Në vend të meritokracisë Majko tha Nano po punëson në administratën e lartë shtetërore në bazë të krushkokracisë duke filluar nga vëllai i vjehrrit e deri te kushërinjtë e tjerë të gruas. Por vijoi ai, Pandi nuk është djali i botës, është djali ynë. Ne nuk do ti lëmë njerëzit të çmenden por do t’u gjejmë ilaçin për tu shëruar brenda partisë sonë.

Pretendenti për postin e kryetarit të PS ka nënvizuar se dy qëndrime të ndryshme brenda PS kanë filluar të shfaqen që pas marrëveshjes së 9 Marsit.

” Dy mënyra sjelljeje, dy mënyra veprimi politik, dy mënyra qëndrimi ndaj pushtetit dhe interesave të votuesve, që janë zbrasur dhe në gjirin e Partisë Socialiste që nga 9 Marsi i vitit 1997 të paktën deri në ditët e sotme duke kaluar dhe nga 14 Shtatori i vitit 1998. Mënyra e parë ka qënë shprehja më e ndershme dhe më e ndërgjegjshme e vullnetit dhe dëshirës suaj dhe të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që votuan qeverisjen tonë ndryshe. Që pa u ndërtuar shteti, pa u vendosur autoriteti i ligjit, pa u krijuar rend, siguri dhe stabilitet institucionesh dhe i ekonomisë në vendin tonë, pa u ,mbrojtur dhe krijuar kushte konkrete që të drejtat dhe liritë e qytetarëve në të gjithë vendin të realizohen në mënyrë të barabartë përballë ligjit. Pa luftuar korrupsionin, kontrabandën firmat piramidale, trafiqet e paligjshme dhe presionet që ata bëjnë për të kërcënuar shtetin është e pamundur jo vetëm një jetë normale por dhe për një karrierë të ndershme në politikë dhe në qeverisje. Unë kam qënë dhe mbetem mbrojtës i flaktë dhe i palëkundur i këtij qëndrimi për të qeverisur dhe për të justifikuar besimin e njerëzve që Shqipëria të europianizohet. Unë denoncoj hapur qëndrimet personale dhe aspak të pranuara të një pjese të udhëheqësve të Partisë Socialiste dhe të kualicionet Aleanca për Shtetin të cilët si pjesëtarë të forumit për demokraci dhe deri më sot preferuan të krijojnë aleanca personale dhe klane për interesa personale përballë këtij vullneti masiv popullor dhe përballë këtij programi të votuar nga shqiptarët që Shqipëria të qeveriset ndryshe dhe jo për interesa të individëve që shfrytëzojnë pushtetin për tu pasuruar në kurriz të qytetarëve.”

Në takimin Majko-Berisha nuk u deklaruan në publik të gjitha që u thanë atje. Pikërisht tani Berisha po i kërkon llogari Majkos madje në Parlament për të gjitha çfarë ka premtuar në atë takim. Nano ka argumentuar dhe tërheqjen e tij nga Kryetar i PS. Isha rrethuar u shpreh Nano nga njerëz që nuk më kuptonin, më sabotonin dhe nuk më lejonin të komunikoja me ju. fjala e Nanos dhe alternativa e paraqitur prej tij është përkrahur nga socialistët tepelanës që e zgjodhën kryetar të delegacionit të kongresit të 3-të të Partisë Socialiste./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme