Fatos Nano në Tepelenë: Së shpejti Tepelena me nënstacion të ri elektrik (8 Shkurt 2001)
Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, njëkohësisht dhe deputeti i Tepelenës, preu sot shiritin e fillimit të punimeve të nënstacionit elektrik të këtij rrethi. Gjatë ceremonisë zoti Nano tha se ky investim i qeverisë do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën në këtë rreth si dhe do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e energjisë elektrike. Investimi për ndërtimin e nënstacionit elektrik në Tepelenë kap shifrën e 1.7 milionë dollarëve dhe projekti do të realizohet nga një firmë italiane.
Punimet parashikohen të zgjasin 3 muaj dhe në qershor ky nënstacion do të vihet në punë.
“Nisja e kësaj sipërmarrjeje nga njëra prej kompanive të huaja më të mëdha në Shqipëri do të krijojë vende të reja pune, do të shtojë të ardhurat e gjithë zonës duke i hapur rrugën për kthimin e lumit të Vjosës në një prodhues të madh të energjisë elektrike përmes vazhdimit të ndërtimit dhe veprave të tjera.”
Po sot Nano lajmëroi banorët e Tepelenës për fillimin brenda këtij viti për punimin e hidrocentralit të Kalivaçit me një vlerë prej 150 milionë dollarësh. Ky investim është një nga më të mëdhenjtë të kryer në Shqipëri gjatë dekadës së fundit tha Nano duke shtuar se kjo vepër e madhe do të krijojë mundësinë për qindra vende pune. Gjatë vizitës së tij në Tepelenë kryetari i Partisë Socialiste zhvilloi një takim të zgjeruar me elektoratin dhe më pas një tjetër takim me dyer të mbyllura me degën e Partisë Socialiste të Tepelenës./tvklan.al