Fatos Nano shfaq ambicien: Unë, kandidati i mazhorancës për President (2001)


Fatos Nano shfaq ambicien: Unë, kandidati i mazhorancës për President (2001)

Autori: Blendi Fevziu

23:37 18/10/2001

Opinion– Fatos Nano, një nga figurat kryesore politike në vend në vitet pas komunizmit, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”  më 18 Tetor të vitit 2001 pas zgjedhjeve të përgjithshme realizuar në Qershor të atij viti ku si Kryeministër i qeverisë u dekretua Ilir Meta.

Për herë të parë në emisionin Opinion, Fatos Nano pranoi ambicien për t’u bërë Presidenti i ardhshëm i Republikës.

“Unë nuk mendoj se mazhoranca që unë drejtoj pra Partia Socialiste ka ndonjë kandidaturë më të përshtatshme se sa kryetari i saj për Presidentin e ardhshëm. Kjo nuk likuidon as karrierën e z.Meidani dhe sukseset e tij si President. Më lejoni të them se unë kam vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për meritat e Meidanit si President në 5 vitet e fundit për shkak se ai e çmitizojë institucionin e Presidencës e bëri funksionues dhe një faktor ndihmës në ekuilibrimin e pushteteve të balancuara dhe që kontrollojnë njëri-tjetrin. Nuk bien të gjitha pushtet në duart e socialistëve nëse Fatos Nano kandidon për president dhe zgjidhet. Përkundrazi, ne po flasim për instrumente kritike brenda nesh. Ky është një nga instrumentet më kredibël për të ekuilibruar pushtet e mazhorancës. Më lejoni t`iu them se unë kam kredibilitetin publik në një politikë të hapur 10 vjeçare të ftesave dhe angazhimeve konstante për të komunikuar me opozitën dhe me qytetarët pavarësisht nga përkatësia e tyre publike. Kjo është kredoja ime”, u shpreh Nano.

Kreu i Partisë Socilaiste në atë kohë gjatë intervistës u pyet lidhur me akuzat e opozitës se ishin vjedhur mandate nga maxhoranca. Sipas Nanos pas raportit përfundimtar të ODIHR nuk ishte më koha e duhur për të diskutuar nëse janë vjedhur apo jo mandate. Ai po ashtu iu përgjigj opozitës për rishikimin e mandateve duke thënë se çdo rishikim rezultati është rishikim i 140 mandateve.

“Unë për shkak të detyrës ndjek edhe evoluimin dhe qëndrimet e opozitës. Unë besoj se Saliu është në të njëjtin proces të koherencës së shfaqur deri tani nga opozita për të kërkuar një rrugë të ndershme për t’u kthyer në parlament. Unë jam gati t’i përgjigjem zotit Berisha me një mirëkuptim që garanton ruajtjen e fytyrës së tij dhe të opozitës për të nisur një punë të vërtetë parlamentare. Pas raportit përfundimtar të ODIHR nuk besoj se jemi në kohën e duhur për të diskutuar nëse janë vjedhur mandate apo jo, por dua të kuptoj se çfarë do të thotë kjo sipas Berishës. Dua të tërheq vëmendjen e partnerëve politikë edhe në opozitë, të institucioneve të administratës zgjedhore si dhe të ligjvënësve në përgjithësi që të mbyllin shtigjet për cilindo që në zona të veçanta apo qendra votimi i fshihen syve të publikut apo vëzhguesve. Unë si kryetar i mazhorancës e denoncoj dhe angazhohem për të mos e lejuar shkeljen e rëndë të parimit që një njeri, një votë.

Jam dakord të bisedoj me zotin Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës për të kuptuar nevojën që buron nga koncepti i tyre për mandatet e vjedhura. Çdo rishikim rezultati është rishikim i 140 mandateve. Unë nuk e quaj këtë një alibi për të bllokuar çdo diskutim, por çdo diskutim orientohet nga e sotmja dhe e ardhmja. Unë jam gati të kuptoj së bashku me opozitën nevojën reale të përmirësimit të sistemit elektoral, të administrimit të zgjedhjeve, dhe përzgjedhjes së njerëzve që duhet të drejtojnë administratën zgjedhore. Jam gati të bëj çdo kompromis me opozitën që të kthehet në Parlament, përveçse të shkatërrojmë gjithçka që mezi e ndërtuam”, tha Nano. / tvklan.al






Të ngjashme