Fatos Nano: Tropoja është pjesë e Shqipërisë dhe shteti i mbron qytetarët njësoj (28 Nëntor 2000)
Partia Socialiste ka kërkuar nga institucionet shtetërore zbardhjen e ngjarjes së Tropojës. Sipas socialistëve, grupet e armatosura të klanit të Berishës në vazhdën e krimeve të tyre në kundërshtim me çdo ligj dhe normë demokratike kanë provokuar në mesditë një ngjarje të rëndë në qytetin e Barjam Currit. Duke sulmuar gjykatën dhe më pas Komisariatin e Policisë Tropojë.
Përpara gazetarëve, kryesocialisti Nano kërkoi nga qytetarët të distancohen nga aventurierët që krizat e tyre duan t’i paguajnë me jetë njerëzish. Nano ka deklaruar se qeveria ka dhe mbështetjen e partive të koalicinit.
“Tropoja është pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarët e Tropojës janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Pra dhe në Tropojë, përfundimisht shteti mbron qytetarët nëpërmjet institucioneve demokratike. Nëse kjo gjë kërkohet sërish nga njerëz të njohur, nga klane të njohura të prodhohet në Tropojë dhe prej andej në gjithë Shqipërinë, unë jam i bindur se ashtu siç vepron shteti edhe sot në Tropojë, është i vendosur me qetësinë e ligjit të veprojë në gjithë territorin e Shqipërisë.”/tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame