Faza e dytë e Superligës
Ndeshje “ferri” për Kukësin, favorizohet Partizani
Faza e parë e Superligës u mbyll me rezultate të cilat lanë shumë dyshime për të ardhmen. Faza e dytë do të nisë mjaft shpejt dhe nuk ka kohë për llogari.
Vllaznia që njohu për herë të dytë humbjen në këtë sezon do të ketë dy ndeshje të lehta në letër, por që terreni do të jetë mjaft delikat. Këtë të mërkurë shkodranët përballen me Apoloninë e vendit të fundit.
Më pas Skënderbeu për të mbyllur vitin. Shkodranët duhet të hyjnë në 2021 me moral të lartë pasi i presin përballe të vështira. Tirana, Teuta dhe Kukësi do të jenë provat më të forta për kuqeblutë.
Kukësi është ndjekësi më i afërt i Vllaznisë në një distancë prej 3 pikësh. Por skuadra e Skënder Gegës do të ketë 5 ndeshje super të forta.
Forca e kësaj skuadre dhe ajo çka ka arritur deri më tani do të jenë në provë seriozë ndaj Tiranës, Partizanit, Teutës, Laçit dhe Vllaznisë.
Askush nuk mund të bëjë parashikime, por duket se ndër skuadrat e para Partizani është me i favorizuar nga kalendari.
Por të kuqtë kanë 4 ndeshje pa fitore dhe për një ekip që pretendon të garojë për titull, pikët e humbura janë shumë.
Edhe këtë sezon ashtu sikurse ndodhi një vit më parë, skuadrat janë të ngjeshura dhe të paktën nga pikët në renditje, kryesimi pretendohet edhe nga Kastrioti, skuadër që gjendet në vendin e 6.
Do të luhet deri më 30 Dhjetor, më pas pritet çfarë do të sjellë viti i ri për skuadrat e Superligës.
Tv Klan