FBI merr në pyetje Hillary Clinton
Kandidatja demokrate për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Hillary Clinton është marrë në pyetje nga Byroja Federale e Hetimit, (FBI), për përdorimin e email –it privat gjatë kohës që mbante pozicionin e Sekretares së Shtetit.
Lajmi bëhet i ditur për mediat nga një zëdhënës i Clinton, i cili tha se intervista u realizua me dëshirën e saj.
FBI po heton nëse, ish – Sekretarja e Shtetit dhe ndihmësit e saj, kanë keqmenaxhuar informacione të klasifikuara duke përdorur email –in privat, gjatë kohës që mbante pozicionin e Sekretares.
Clinton ka mohuar të ketë dërguar informacione të tilla me email –in e saj personal dhe ka deklaruar se e ka patur një të tillë për lehtësi komunikimi.
Megjithatë, një analizë e brendshme e departamentit të shtetit e akuzoi atë dhe ish – sekretarë të tjerë se kanë keqmenaxhuar sigurinë me email – et private.
Aktualisht, Departamenti i Drejtësisë kërkon të përcaktojë nëse kjo përbën një vepër penale. /tvklan.al