“Fëmijë që luteshin për ndihmë”, shpërthimi i madh zhduk 3 shtëpi
Një grua humbi jetën dhe të paktën 5 persona të tjerë u plagosën rëndë pas një shpërthimi të madh të ndodhur në një zonë rezidenciale në Baltimore të SHBA.Sipas asaj që shkruan CNN, tre shtëpi u shkatërruan tërësisht si pasojë e shpërthimit të gazit.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për personat që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Një banor i zonës tregoi se po qëndronte në oborrin e shtëpisë së tij kur dëgjoi shpërthimin.
“Ishte katastrofike. Ishte si bombë. Pashë shtëpitë që u shpërbënë. Kur erdha fillimisht mund të dëgjoja zëra që kërkonin për ndihmë“.
Një tjetër banor tha se kishte shkuar gjithashtu me shpejtësi drejt vendngjarjes, ku kishte dëgjuar fëmijë që qanin e kërkonin ndihmë.
“Na ndihmoni, kemi ngecur”, ishin lutjet e fëmijëve që vinin nga rrënojat përpara se të shkonin shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje ndodhen aktualisht më shumë se 200 punonjës të emergjencës dhe frika se mund të ketë viktima të tjera është e madhe, pasi shumë njerëz rezultojnë të zhdukur.
Autoritetet në Baltimore konfirmuan se shkak i ngjarjes ishte rrjedhja e gazit dhe thanë se kishin nisur hetimet./tvklan.al