Fëmijët e bllokuar u shkruajnë prindërve


Fëmijët e bllokuar u shkruajnë prindërve

15:30 07/07/2018

“Mos u shqetësoni. Jemi të gjithë mirë. Jemi të fortë

”. Janë këto disa nga mesazhet që fëmijët e bllokuar në një shpellë në Tajlandë u kanë dërguar familjarëve të tyre, të mbërthyer prej 2 javësh nga ankthi. Në një tjetër mesazh, trajneri u kërkon ndjesë prindërve duke i siguruar se po kujdeset për fëmijët.

Historia dramatike e futbollistëve të vegjël dhe letrat e tyre kanë bërë xhiron e mediave në botë. Fati i tyre mund të marrë një tjetër rrjedhë. Fillimisht mendohej se nxjerrja do të kërkonte muaj, por autoritetet janë shpresëplotë se ata mund të shpëtohen më herët.

Sakaq në ndihmë të të bllokuarve pritet të vijë edhe teknologjia e lartë. Inxhinierët e projekteve inovatore si Space X apo Tesla të Elon Musk, janë ofruar për ndihmë. Po kërkohet një pikë gërmimi, me qëllim nxjerrjen e fëmijëve nga një tjetër shteg në një kohë më të shkurtër. Grupet e zhytësve thonë se nëse niveli i ujit vijon të ulet operacioni për shpëtimin e fëmijëve mund të nisë që javën e ardhshme.

Të premten, një prej zhytësve të marinës tajlandeze ndërroi jetë në përpjekje për të hyrë në shpellë. Saman Gunan, mbeti i asfiksuar, teksa ishte zhytur mes ujërave që kanë përmbytur një pjesë të shpellës.

Tv Klan






Të ngjashme