Femrat, cila parti “kujdeset” më shumë


Femrat, cila parti “kujdeset” më shumë

Autori: Blendi Fevziu

22:59 08/03/2012

Vitet e fundit politika shqiptare është mësuar të ketë pjesë të saj edhe femrat, shpesh herë në moshë të re. Të dashura, të votuara apo të kritikuara, ato janë pjesë e pandarë ë vendimarrjeve në qeveri apo parti, edhe pse në fakt janë të zgjedhura nga drejtuesit e partive, që në të gjitha rastet janë meshkuj.

Megjithatë kjo nuk i ka penguar që shumë prej tyre të kenë një karrierë të plotë dhe profil të formuar, duke i lënë pas edhe kolegët meshkuj. Me një traditë mashkullore në drejtimin politik dhe me një model mashkullor të femrës politikane në periudhën e komunizmit, femrat shqiptare kanë mundur të mbijetojnë dhe në shumë raste të rrezatojnë në zymtësinë e politikës burrërore.

Të shkolluara dhe të mësuara me punë, këto femra shqiptare tashmë e kanë orientuar ambicien e tyre drejt politikës, ku në fakt armiqtë më të mëdhenj i kanë gjetur po te femrat. Por jo detyrimisht kjo konkurrencë brenda llojit i kanë bërë zmbrapsen, përkundrazi duket se kjo përballje i ka bërë më të forta dhe këmbëngulëse.

Jo më kot shumë prej tyre tashmë drejtojnë sektorë të rëndësishëm dhe konkurrojnë denjësisht. Nëse kuotat për përfshirjen në listat e deputetëve shumëkush i sheh si diskriminim femëror, shumë gra i konsiderojnë si mundësi për të hyrë në një fushë të re, në politikë.

Por pavarësisht deklaratave në prag fushate, ende askush nuk di të thotë me siguri se cila forcë politike ka më shumë se demagogji për përfshirjen e grave në politikë, kush nga liderët e politikës beson seriozisht se gratë mund të drejtojnë, cila nga partitë do të zgjedhin gra drejtuese.

Politika, ku gjithçka orientohet nga një mashkull lider, ka gjithmonë hapësira për ndikimin dhe pushtetin femëror, gjë që padyshim gratë dinë ta menaxhojnë shumë më mirë se një burrë.

Për të diskutuar mbi raportin që kanë femrat me politikën dhe se cila është partia politike që ka programin më të mirë për integrimin e femrave, në emisionin “Opinion” ishin të ftuara deputetet e PD Mesila Doda dhe Lajla Përnaska, deputetja e PS Olta Xhaçka, përfaqësuesja e PS Keti Bazhdari, përfaqësuesja e LSI Monika Kryemadhi dhe gazetarja Iris Luarasi./tvklan.al






Të ngjashme