“Fenomeni Valentina”, kryeinfermierja që lufton sëmundjen e rëndë (Video)
Historia e parë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në E Diela Shqiptare në Tv Klan, është një shembull që do të na frymëzojë të gjithëve. Valentina, është një grua e fortë, e cila me profesion është kryeinfermiere në Qendrën Shëndetësore të Patosit. Historia e Valentinës është e trishtë, por njëkohësisht të jep forcë për të vazhduar më tej.
Valentina është diagnostikuar me kancer malinj të stomakut. Ajo ka bërë ndërhyrje kirurgjikale një vit më parë dhe disa seanca kimioterapie. Gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë për të, pranë i kanë qëndruar koleget dhe mikeshat e saj të Qendrës Shëndetësore të Patosit. Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, Valentina ka ftuar tre prej kolegeve, që t’i falenderojë publikisht për ndihmesën e ofruar. Por, më parë le të shikojmë se si e zbuloi Valentina sëmundjen e saj.
Valentina:
“Isha në drekë me fëmijët e mi pasi të dy i kam emigrantë jashtë shtetit dhe aty u ulëm për të drekuar. Dhe nuk kapërceja dot ushqimin. Djali dyshoi dhe më thotë hajde se do shkojmë për të bërë një vizitë. Marr përgjigjen e skanerit, nuk dhashë asnjë arsye, kuptova gjithçka që ishte atje, ishte kancer i stomakut. E kryeva operacionin në një spital të Athinës, falë fëmijëve. Erdhi momenti i bërjes së kimioterapive, se pas operacionit unë bëra biopsi, dhe përgjigjia ishte e njëjtë, tha malinj i stomakut, që do të thotë kancer femër i stomakut. Por asnjëherë nuk duhet të mendojmë të keqen. Unë kam qenë një femër shumë aktive, në familje, në profesionin tim. Asnjëherë nuk e kam thënë fjalën u lodha apo nuk mundem ta bëj këtë.
Gjithmonë jam përpjekur çdo gjë ta bëj. Forca ime është fëmijët e mi. Momentet më të vështira kanë qenë bërja e kimioterapive. Aty unë gjithmonë kam pasur pranë një kolegen time doktoreshë Jonida Haxhi, për 6 orë që unë vuaja në krevat duke bërë kimioterapi, ajo më jepte kurajo në këmbë për 6 orë me mua. Më ka zëvendësuar dy fëmijët e mi, që unë fatkeqësisht të dy nuk i kisha afër në këto momente. Në kimioterapinë e dytë unë bëj analiza. Fatkeqësisht ishte rezultati ai që mua më thanë në Greqi, që nuk është e vlefshme të bësh kimioterapitë se nuk përfiton gjë. Por unë thashë, jetën time në dorë e ka Zoti, nuk mund ta ketë asnjë. Dhe unë do përpiqem ta bëj dhe këtë se dua të bëj më të mirën e mundshme. Fatkeqësisht nuk dhanë rezultat, dhe unë i ndërpreva. Unë këtu kam thirrur tre koleget e mia. Dhe ato përfaqësojnë gjithë qendërën shëndetësore.
Nëse ato nuk do ishin të më falnin mua dashuri dhe lumturi, unë nuk do isha sot këtu Ardit, do isha në krevat duke luftuar dhe jetuar me sëmundje. Kur kam ardhur në qytetin tim, në momentin që kam dalë nga shtëpia në mëngjes, kam dëgjuar fishekzjarre dhe thirrje që thonin “Vali ti nuk je vetëm, na ke ne. Ne do të kalojmë çdo gjë bashkë”. Në 30 vjetorin e martesës, një mikja ime kishte shkuar në një sallon bukurie, kishte marrë një fustan të bardhë, më çoi të parukierja dhe atje më kanë nxjerrë fustanin e bardhë dhe unë e kam veshur. Kemi shkuar në Apolloni, kemi bërë një videoklip ku atje i kam premtuar bashkëshortit tim që unë do jem ajo Valentinë edhe për 130 vite të tjera”.
Mesazhi që Valentina do t’u japë kolegeve dhe mikeshave, është që ajo do të vazhdojë të jetë një grua e fortë, sikurse ka qenë gjithmonë. Të punojë me vendosmëri, pasion dhe përkushtim ndaj pacientëve të saj.
“Tre shoqet duhet të kuptojnë që unë eci jo me atë që kam brenda vetes time, por për atë që jam. Unë do jem ajo Valentinë që kam qenë dhe para një viti që s’kam pasur një diagnozë të tillë. Do punoj në grup ashtu si kemi punuar për 30 vjet. Unë e ndjej kur vjen një trajnim dhe unë pyetem: “Vali a je mirë për të shkuar në trajnim”? Nuk e dua më këtë pyetje. Më ka lodhur kjo gjendja. Historia ime mbaron sot këtu. Njerëzit gjithmonë duhet të ecin përpara me forcë dhe me kurajo”
, tha Valentina.
Gazetarja e rubrikës “Ka një mesazh për ty”, shkoi në Qendrën Shëndetësore të Patosit për t’u dhënë mesazhin 3 kolegeve të Valentinës, të cilat me kënaqësi pranuan të ishin në studion e “E Diela Shqiptare”.
Edhe pse nuk ishin në dijeni të personit që donte t’u jepte mesazhin, tre doktoreshat patën dyshimet e tyre. Këto dyshime u shuan pasi në ekranin përballë tyre u shfaq Valentina, e cila u dha këtë mesazh:
“Ju jeni tre mjeke, tre koleget e mia, jeni në fillimet e viteve të punës suaj. Ta vazhdoni jetën kështu si keni zënë, duke falur dashuri e lumturi. Duke iu falur pacientëve tuaj, se janë sytë tuaj kur ata gjejnë vetëm shpëtimin. Pos gjithë dashurisë dhe lumturisë që më keni falur, që unë mendoj se a do mundem një ditë që t’ja u kthej, do t’ju kërkoj: “Nga sot historia ime mbaron, dhe këtë ti Jonida e kupton shumë mirë”. Kemi qenë bashkë kur unë stopova kimioterapinë për shkak të rezultateve të analizave. Dhe duhet të kuptoni që sot mbaron Valentina e sëmurë. Është një Valentinë aktive ashtu siç ka qenë dhe ju shumë herë e keni shprehur duam të shikojmë Valentinën e fortë dhe plot energji. Dhe unë e tillë jam, e tillë do vazhdoj të jem. Nuk dua të më shikoni më ashtu. Vjen urgjencë, ka trajnim, nuk dua të më pyesni a mundesh. Unë gjithmonë mundem të bëj më të mirën. Dhe kështu do vazhdoj të çoj deri në fund misionin tim. Ju faleminderit, jeni dashuria ime më e madhe. Nëse unë ju kam thirrur ju të treja sot, ju përfaqësoni gjithë qendrën shëndetësore Patos. Falenderoj Zotin, falenderoj veçanërisht nënën e Jonidës, ka lindur një vajzë për vete dhe për mua”.
Nga ana tjetër, tre koleget dhe mikeshat e Valentinës u emocionuan së tepërmi dhe i premtuan kryeinfermieres se do të jenë gjithmonë pranë saj.
Doktoreshë Albiona:
“Është një person që përpiqet deri në maksimum për t’i ndihmuar pacientët. Ngjitet deri në kat të dytë, edhe pse ishte menjëherë pas seancave të kimioterapisë, nuk ka munguar asnjë ditë në punë, asnjë orë. Prandaj unë preferoj ta quaj fenomeni Vali”.
Doktoreshë Anisa:
Në fakt unë nuk e kujtoj Valin kur ka qenë sëmurë, se Vali ka dalë nga operacioni edhe ka ardhur te kafja ku ne mblidhemi me kolegët, ka dalë nga operacioni dhe ka veshur taka, fustane, është lyer, ka kërcyer gjithë drekave e darkave që ne kemi dalë me kolektivin”.
Doktoreshë Jonida:
“Unë çdo gjë që Vali mendon se kam bërë për të, ka qenë shumë spontane, me shumë dëshirë edhe pa asnjë sforco. Sforcoja e vetme që po bëj është kjo sot, mënyra se si të flas dhe çfarë të them. Është tepër e fortë, tepër e dhënë, është fenomen”
.
/tvklan.al