Ferdinand Xhaferri i përgjigjet akuzave të Berishës – (19 Nëntor 1999)


Ferdinand Xhaferri i përgjigjet akuzave të Berishës – (19 Nëntor 1999)

19:29 19/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri ka reaguar sot ashpër ndaj akuzave të lidërve aktuale të PD për takime të fshehta të tij me shefin e SHIK-ut Klosi. Asnjëherë nuk kam patur takime me Klosin deklaroi Xhaferri. Në qoftë se Berisha vijoi ai, do të filloj të bëhet konstruktiv në këtë çështje, të fillojë të merret me të gjithë ata që janë afër tij dhe kanë emrat në letrat e zotit Klosi.

Sipas Xhaferrit është tërësisht e papranueshme që praktikat e sajimit dhe të trillimeve apo gënjeshtrave ordinere, po kërkohen të kthehen dhe në qëndrime zyrtare të PD.

Ferdinand Xhaferri, deputet i PD:- “Unë deklaroj publikisht se nuk kam hyrë në politikë as pas përkëdheljeve nga ish-Byroja e Partisë Punës, as pas takimeve me Ramiz Alinë dhe as pas takimeve me Fatos Nanon në Trieste. Dhe për rrjedhoje nuk kam dhe nuk kam për të pasur asnjëherë asnjë detyrim. I vetmi detyrim që kam dhe do të kem në vazhdimësi është bindja ime e palëkundur për të shërbyer pa hezitim që politika dhe politikanët e dhunës, tensionit dhe konfliktit, të zëvendësohen nga politika dhe politikanë që garantojnë stabilitet, zhvillim të demokracisë dhe përmirësim të jetës ekonomike të shqiptareve”.

Deputeti demokrat Xhaferri është shprehur optimist se shume shpejt PD do te ndryshoje imazhin e saj. Kështu ka përfunduar ai, kjo parti do tju ofroj shqiptarëve një parti vërtet demokratike, ashtu si ka qenë në ’92 shpresë për shqiptarët dhe e vlerësuar nga Perëndimi./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme