Festa e Çlirimit, homazhe në varrezat e dëshmorëve – (29 Nëntor 2000)


Festa e Çlirimit, homazhe në varrezat e dëshmorëve – (29 Nëntor 2000)

10:47 29/11/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

29 Nëntori, 56-vjetori i Çlirimit është nderuar sot në varrezat e dëshmorëve të kombit. Ceremonia zyrtare e homazheve ka filluar në orën 10 paradite. Kanë qenë të pranishëm Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, kryeministri Ilir Meta, kryetari i PS Fatos Nano, anëtar të qeverisë, kryebashkiaku Rama, si edhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve.

Banda frymore e republikës, ka shoqëruar gjatë gjithë kohës, korteun në vendosjen e kurorave me lule. Kurorat janë vendosur pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në emër të shtetit, të qeverisë dhe partive politike. Sot kanë munguar kurorat nga PD, pasi homazhet pranë varrezave të dëshmorëve të kombit, anëtarët e kësaj partie i kanë bërë një ditë më parë.

Në varrezat e dëshmorëve të kombit kishin mbërritur sot edhe mjaft qytetarë për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare, si edhe në homazh të të rënëve në Luftën Nacional Çlirimtare. Vetëm pak minuta pasi janë larguar nga varrezat Presidenti Mejdani dhe anëtarët e qeverisë, për homazhe kanë mbërritur këtu përfaqësues nga të gjitha trupat diplomatike të akredituara në Tiranë./tvklan.al






Të ngjashme