Festa e gazetës “Koha Jonë” – (11 Maj 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Kompania e mediave “Koha Jonë”, ka festuar sot 9 vjetorin e krijimit. Në 11 Maj të vitit 1991, doli në treg numri i parë i gazetës së pavarur “Koha Jonë”, ditë që shënon përvjetorin e shtypit të pavarur në Shqipëri. Në festën e organizuar në restorant Berlini mungonin politikanët, por kjo nuk i shqetësoi gazetarët të cilët vetëm për këtë natë braktisën kompjuterat, mikrofonat dhe kamerat.
Pronari i kompanisë Nikoll Lesi shprehet se media e tij ka shërbyer si shkollë për gazetarët të cilët punojnë në mediat e shkruara dhe elektronike.
Nikoll Lesi, botues i gazetës “Koha Jonë”:- “Sot në të vërtetë s’kishte politikanë, kishte vetëm mjedis gazetaresk, gazetar që punojnë sot dhe gazetarët që kanë punuar dikur në “Koha Jonë”. Kjo gazetë mbushi 9 vjet duke qenë përsëri gazetë konkurente, duke qenë korrekte me lexuesin. Në këtë festë ishin dhe ato që kanë sakrifikuar për gazetën si zotrinjtë dhe gazetarët e njohur si Aleksandër Frangaj, Martin Leka, Frrok Çupi, Fevziu, Bushati, gjithë gazetarët që në një farë mënyre kanë kontribuar me punën dhe me jetën e tyre, rimëkëmbjen dhe forcimin e gazetës “Koha Jonë”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame