Festa e Pashkëve nën orën policore
MSH: Masat shtrënguese japin së shpejti rezultate
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut janë duke e kaluar ditën e dytë të karantinës 85 orëshe që përkon edhe me Festën e Pashkëve. Sipas autoriteteve vendi po hynë në fazën më kritike të epidemisë ku numri i të prekurve, ashtu siç pritej është në rritje. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe i cili nga shtëpia po ushtron funksionin thotë se masat restriktive duhet të japin rezultate muajin e ardhshëm.
“Sikurse tani që jemi duke i mbledhur frytet e kufizimeve, njëjtë do të jetë edhe në fillim apo kah mesi i muajit Maj, kur priten rezultate nga këto masa të ashpra restriktive. Jeta do të kthehet në normalitet, por kjo nuk do të jetë e menjëhershme”.
Situata e jashtëzakonshme me pandeminë e Covid-19 ka detyruar autoritetet kishtare që të dërgojnë mesazhe që festa e madhe krishtere Pashkët të festohet në ambiente shtëpiake.
“Sapo përfundova ngjyrosjen e vezëve. Për festën jemi vetëm unë dhe bashkëshorti. Do të shoqërohemi në mënyrë virtuale me fëmijët për Pashkët. Shpresoj se kriza do të përfundojë shpejtë”.
Por, në kushte të orës policore, punojnë edhe shitoret që shpërndajnë ushqimet nëpër shtëpi.
“Ka porosi, ka kërkesa nga më të ndryshmet. Kush nuk ka përgatitur drekën në shtëpi mund të paraqitet”.
Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 53 raste të reja me COVID-19 që çon në 1170 numrin e përgjithshëm të të infektuarve. Shkupi me 401 dhe Kumanova me 320 raste janë qytetet me më shumë të prekur nga koronavirusi.
Klan Macedonia