Festat e fundvitit, policia masa shtesë në pikat kufitare dhe aeroportin e Rinasit
Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj, inspekton pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin për të parë zbatimin e masave shtesë të marra në kuadër të festave të fundvitit.
Gjatë një pronocimi nga Kakavija, drejtoresha Hajnaj ka theksuar se Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit ka marrë një sërë masash për të krijuar lehtësirat ligjore të gjithë shtetaseve që qarkullojnë nëpërmjet pikave të kalimit, me qëllim shmangien e radhëve të gjata, forcimin e kontrollit si në pikat e kalimit ashtu dhe në kufirin jeshil e blu.
“Në të gjitha pikat e kalimit, porte e aeroportin e Rinasit janë shtuar sportelet për të eleminuar radhët dhe për tju krijuar lehtësirat ligjore. Është marrë kontakt me homologët e palës greke, të Maqedonisë, Kosovës për të koordinuar veprimet me qëllim sigurimin e lëvizjes së njëtrajtshme nga të dyja krahët si në hyrje ashtu dhe në dalje.
Nga kontaktet e marra kemi siguruar një bashkëpunim të mirë me homologët të cilët kanë shtuar edhe ata sportelet. Një masë tjetër është forcimi i kontrollit në kufirin jeshil. Kemi shtuar prezencën e patrullave në kufi. Kemi koordinuar veprimet me homologët që të kemi edhe patrullime të përbashkëta me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që mund të tentojë të kryhet nëpërmjet kufirit jeshil e blu.
Në bashkëpunim me autoritetet doganore kemi forcuar kontrollin në pikat e kalimit për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, ku mund të perfitojnë nga fluksi i hyrje- daljeve. Po bashkëpunojmë e bashkërendojmë veprimet me DVP në qarqe për të parandaluar evidentuar dhe goditur çdo tentative për trafiqe të paligjshme”,
deklaroi Hajnaj.
/tvklan.al