Festë madhështore në Napoli
Mijëra napolitanë mbushën rrugët e qytetit dhe festuan deri në orët e para të mëngjesit fitoren e skuadrës së tyre me kryesuesen e Serie A, Juventus. Arritja e këtij suksesi dramatik çoi në delir tifozët që bllokuan rrugë e sheshe. Raportohet se afërsisht 10 mijë persona ishin pranë aeroportit të Napolit në orën 3 të mëngjesit për të festuar me skuadrën me kore, flakadanë dhe selfie me autobusin e futbollistëve.
Në daljen nga aeroporti autobusi hasi në një mur njerëzor që festonte. U desh thuajse një orë që skuadra të mund të dilte nga zona e mbipopulluar më tifozë. Gjatë gjithë natës në qytet janë hedhur fishekzjarrë, kishte edhe nga ata tifozë që u hodhën në shatërvanë.
Koret e tifozëve jo vetëm përshëndesnin fitoren dhe heroin e kësaj ndeshjeje Kuolibaly por talleshin edhe me Juventusin. Napoli nuk e uli për asnjë çast dëshirën për ta fituar takimin ndërsa në minutat e fundit u duk se Juventus po pajtohej me barazimin pa gola. Por futbollistët e Sarrit besuan deri në fund. Dhe pikërisht atëherë, në minutën e 90′ gjetën fitoren.
Atmosfera e një nate me parë në Napoli e bën të paparashikueshme se ç’mund të ndodhë nëse ekipi sjell edhe një herë titullin kampion për herë të parë pas atij të vitit 1990.
Tv Klan