Festime për Fitër Bajramin nëpër botë
Problemet e shumta që shqetësojnë myslimanët zunë një vend të rëndësishëm gjatë faljeve të Fitër Bajramit në shumë vende të botës islame.
Xhamia e madhe Al Aksa në Jeruzalem mblodhi një numër të konsiderueshëm prej 90 mijë besimtarësh në falje. Lutja u drejtua nga sheiku Muhamed Husein, i cili shënjestroi njohjen nga Uashingtoni të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, një vendim që sipas imamit synon eliminimin e kauzës palestineze.
Festa e Bajramit e gjen presidentin turk Rexhep Taip Erdoan përballë sfidës së zgjedhjeve të përgjithshme. Nga Stambolli, ai tha se këto zgjedhje do të konsolidojnë demokracinë në vend, por edhe zhvillimin ekonomik që po përjeton Turqia prej 16 vitesh që kur ai ka marrë pushtetin.
Lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Kamenei e përqendroi fjalën e tij përpara dhjetëra mijëra besimtarëve në Teheran, tek çështja palestineze. Lutja e tij ishte që palestinezët të kthehen sa më shpejt në tokat nga ku i ka dëbuar Izraeli.
Mediat botërore kanë fokusuar edhe presidentin sirian Bashar al-Assad teksa merrte pjesë në faljen e Bajramit në qytezën bregdetare të Tartusit, që nuk ka qëndruar jashtë trazirave 7-vjeçare.
Tv Klan