Festimet e Vitit të Ri 2000, ndryshe nga çdo vit tjetër (23 Dhjetor 2000)
Përgatitjet për festën e Krishtlindjeve, Bajramin dhe mbrëmjen tradicionale të Vitit të Ri kanë disa ditë që kanë filluar. Ndriçimi i qendrës së kryeqytetit, bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por dhe disa prej rrugëve kryesore, pothuajse kanë mbaruar për t’u kurorëzuar në festimet që do të fillojnë ditën e hënë.
Ndërmarrja e Ndriçimit si dhe Drejtoria e Punëve të Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Tiranë, të angazhuara deri në orët e vona të natës, pothuajse i kanë mbaruar të gjitha. Dekorimi dhe vargjet ndriçuese janë vendosur edhe tek pema e Vitit të Ri e improvizuar me mjaft ngjyra e cila është vendosur përballë TOB.
Projekti i ndriçimit dhe dekorimit të Tiranës me rastin e festave të fundvitit 2000 është krejt i ndryshëm nga ai i vitit të kaluar ku ndriçimi përqëndrohej vetëm në qendër./tvklan.al