Fier, të ardhurit nga Kosova – (1 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Rreth orës 2 të natës së mbrëmshme në sallën e teatrit Bylis të Fierit, kanë hyrë disa qindra qytetarë të ardhur nga Kukësi e Tirana. Gra, fëmijë, pleq të rraskapitur dhe të traumatizuar nga udhëtimi i tyre i tëmerrshëm mësë fundi kanë mbrritur në qytetin ku i prisnin qindra qytetarë.
Rreth kësaj ore në Fier ka mbrritur edhe 1000 të ardhur nga Kosova, një pjesë e të cilëve janë gdhirë edhe në autobuzë, por ka patur edhe nga ata që kanë fjetur jashtë në lulishten përreth godinës së teatrit. Drejtuesit lokal bëjnë të ditur për Tv Klan, se është shumë e vështirë të përballohet mbulimi i tyre i menjëhershëm me sende të tjera të nevojshme.
Në prefekturën e Fierit bëjnë të ditur se numëri i të ardhurve do të rritet edhe më tej dhe për këtë po punohet për përgatitjen e terrenit dhe vendeve ku do te sistemohen. Ndërkohë solidariteti i qytetarëve të këtushëm për të ndihmuar dhe strehuar është tepër i dukshëm.
Dhjetra familje kanë strehuar gjatë natës së mbrëmshme shumë të ardhur, ndërsa tregtarët lokal kanë ofruar kontributet e tyre me ndihma ushqimore dhe financiare. Ndërsa organet locale kanë bërë thirrje të gjithë shoqatat humanitare si dhe për organet e tjera shtetërore të emergjencës./tvklan.al
Gazetar – Aleksandër Çipa