Merkato, FIFA bllokon Partizanin
Çështja Çinari drejt CAS në Lozanë
FIFA bllokon merkaton e Partizanit për dy sesione, këtë të kësaj vere dhe Janarin e vitit 2021. Të kuqtë e kryeqytetit nuk do të mund të afrojnë futbollistë të rinj për shkak të çështjes Çinari dhe përveç kësaj janë ndëshkuar me 80 mijë euro dëmshpërblim për klubin kroat Istra. Dy vite më parë futbollisti shkodran u përfol se kishte nënshkruar për ekipin spanjoll të Alaves dhe më pas u huazua tek klubi kroat Istra.
Në atë kohë Vllaznia pretendonte se nuk kishte patur marrëveshje me klubin spanjoll Alaves dhe se kishte patur një falsifikim firmash. Por pasi Cinari u transferua tek Partizani, Istra ngriti çështjen në komisionet disiplinore të FIFA-s dhe më në fund vendimi i arsyetuar erdhi këtë të hënë në klubin e kuq.
Sekretari i Përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba, sqaron për Televizionin Klan se përpara blerjes, mori konfirmimi nga Federata Shqiptare e Futbollit se Çinari kishte një kontratë të vlefshme me Vllazninë. Të njëjtin konfirmim e ka nënshkruar edhe Vllaznia dhe vetë lojtari. Burba pretendon se gjithsesi FIFA është treguar e ashpër. Bllokimi i merkatos është një ndëshkim që merret kur skuadra nuk respekton më parë një vendim, të FIFA-s apo nëse diçka e tillë do të kërkohej nga kroatët pas përfundimit të procesit gjyqësor.
Sekretari i Përgjithshëm i Partizanit, thotë se po përgatit dosjen me fakte, me anë të së cilës do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, për rrëzimin e vendimit të FIFA-s për bllokim të merkatos dhe 80 mijë eurot dëmshpërblim ndaj klubit kroat.
Tv Klan