“Fillim i ri për marrëdhëniet mes Tiranës dhe Shkupit”


“Fillim i ri për marrëdhëniet mes Tiranës dhe Shkupit”

12:35 30/09/2016

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim homologun e tij të Shkupit, Koce Trajanovski. Dy krerët e bashkive diskutuan mbi sfidat e zhvillimit dhe të mirëqeverisjes me të cilat përballen sot Bashkia e Tiranës dhe ajo e Shkupit.

Veliaj e njohu homologun maqedonas me disa nga projektet madhore që po zbatohen në Tiranë, si dhe për reformat që janë ndërmarrë, si në aspektin e pastrimit të qytetit, menaxhimit të parkingjeve, por edhe shtimin e gjelbërimit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Veliaj dhe Trajanovski folën edhe për mundësitë konkrete se si dy bashkitë mund të bashkëpunojnë përmes shkëmbimit të eksperiencave mes dy stafeve për rritur shërbimet dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre në fusha të tilla si infrastruktura, transporti, zhvillimi ekonomik etj.

Gjatë takimit, ata nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit dhe binjakëzimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Shkupit, e cila angazhon të dyja administratat që të bashkëpunojnë në projekte dhe fusha të caktuara. Në përfundim, dy kryetarët e bashkive dhanë edhe një deklaratë për shtyp, ku vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy bashkive.

Veliaj me delegacionin e Bashkise se Shkupit (2)

Veliaj, theksoi se kjo vizitë shënon edhe një fillim të ri për dy qytetet, Tiranën dhe Shkupin, dhe është një moment historik për t’i afruar qytetarët më pranë me njëri-tjetrin.  Ai solli në vëmendje se vizita e sotme do të shoqërohet me një kalendar të posaçëm veprimesh dhe bashkëpunimesh në fusha të ndryshme, që kanë të bëjnë me qeverisjen vendore.

Veliaj e falenderoi kryebashkiakun Trajanovski për mënyrën se si në qeverisjen e bashkisë së tij ka integruar komunitete të ndryshme, përkatësi të ndryshme politike, etnike apo edhe minoritete të tjera.

Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Koce Trajanovski falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, ndërsa shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe binjakëzimin mes dy qyteteve, si një nga dokumentet më të larta për qeveritë vendore të dy vendeve tona.

Ai garantoi se do të kontribuojë për këmbimin e eksperiencave në shumë fusha të zhvillimeve siç është administrata lokale, urbanizmi, kultura, mbrojtja sociale, arsimi, zhvillimi ekonomik lokal, etj. Gjithashtu, Trajanovski vlerësoi pozitivisht punën që po bëhet në Tiranë për ndryshimin e qytetit.

Ai shprehu besimin se falë marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar sot, në një të ardhme të afërt, do të ketë edhe një realizim konkret të projekteve të përbashkëta, kjo edhe si një mundësi që të dyja bashkitë të përfitojnë nga fondet europiane për bashkëpunimin ndërkufitar.

Delegacioni maqedonas u njoh edhe në terren me projektet kryesore që po zhvillohen në Tiranë./tvklan.al





Të ngjashme