Fillon lufta politike në Francë, nis dueli për presidencën


Fillon lufta politike në Francë, nis dueli për presidencën

19:38 24/04/2017

Menjëherë pas shpalljes së fituesve të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë që do të vënë përballë Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, ka nisur beteja e deklaratave përpara balotazhit të 7 Majit.

Zyrtarë të Frontit Nacional të Le Pen -it, nuk vonuan të sulmojnë rivalin e saj Macronin, duke e quajtur jo patriot, pasi kur ishte ministër ka shitur një sërë kompanish franceze duke zhvlerësuar ekonominë franceze.

Mirëpo kandidati i lëvizjes së qendrës En Marche ka mbështetjen e mbarë politikës franceze. I fundit që u shpreh pro Macronit ishte presidenti Fraçois Hollande, i cili në një dalje për shtyp i bëri thirrje popullit të refuzojnë alternativën Le Pen.

Një fitore e ekstremit të djathtë do të vinte në rrezik të ardhmen e vendit,

tha Hollande.

Më herët edhe kandidatët e tjerë në zgjedhje u rreshtuan përkrah Emmanuel Macron -it. François Fillon i republikanëve të djathtë dhe Benoit Hamon i Partisë Socialiste bënë thirrje për goditje me votë të politikave përjashtuese të Marine Le Pen -it.

Në raundin e parë, Emmanuel Macron kryesoi me 23.9% të votave, kundrejt Marine Le Pen me 21.7%. Franca votoi si kurrë më parë në këtë raund zgjedhjesh, duke i dhënë një shuplakë të fortë politikës tradicionale.

Që prej vitit 1958 kur u themelua Republika e V-të, kjo është hera e parë që 2 partitë e mëdha, ajo Socialiste dhe Republikane përjashtohen nga balotazhi i raundit të dytë.

Në 7 Maj francezët do të duhet të zgjedhin mes dy alternativave të kundërta. Nga njëra anë ekstremi i djathtë, i Marinë Le Pen, e zotuar të nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian, të dëbojë emigrantët, si dhe të imponojë një ekonomi të dominuar nga shteti.

Ndërsa në kahun tjetër qëndra liberale e përfaqësuar nga Macron, për një ekonomi të lirë dhe pro Bashkimit Europian.

Tv Klan






Të ngjashme