Filmi i TV Klan, “Unë, Ti dhe Kasandra” (18 Gusht 1999)
“Unë, ti dhe Kasandra” është titulli i filmit më të fundit televiziv që po xhirohet në Shqipëri. Është një bashkëpunim i TV Klan me Kalvin Multimedia Grup Shpk që mundësoi realizimin e këtij projekti. Këto ditë po punohet për serinë e parë të këtij filmi i cili është menduar të ketë 5 të tilla.
Skenariste dhe regjisore është Ermira Gjata e njohur nga publiku si aktore në shumë filma dhe pjesë teatrale, aktualisht si pedagoge në Akademinë e Arteve të Bukura. Ndërsa Drejtor i Fotografise eshte Spartak Papadhimitri ku njihet në filmat “Balada e Kurbinit”, “Misioni përtej detit” “Bashkë me Bethovenin” e të tjerë.
Fabula e filmit flet për jetën e të rinjve sot, për fenomenet e reja sociale të shoqërisë shqiptare, drogën dhe prostitucionin. Filmi ka filluar të xhirohet prej tre javëve dhe do t’i vazhdojë ato deri në fund të muajit. Seria e parë do të shfaqet në fund të muajit Shtator. Protagonistja Rozina Prendi e diplomuar këtë vit flet për TV Klan.
Rozina Prendi: Është një rol interesant. Ka të bëje me jetën sociale të të rinjve tanë në gjimnaze që është përhapur shumë droga dhe po përpin kureshtjen e adoleshentëve. Është një gocë 17 vjecare që bie në kontakt me një shoqëri të droguarish dhe bie në dashuri me një të droguar. Si e shikon një gjimnaziste të droguarin, domethënë i shikon botën e brendshme, bie në dashuri me një gjë të bukur që ndodhet brenda njeriut me shpirtin./tvklan.al