Filmi që paralajmëroi tragjedinë
Do të ishte i pari film i animuar “The Simpson” që parashikoi përhapjen e një epidemie me origjinë japoneze të quajtur Osaka Flu. Gjithçka nis me një pako postare që nisej nga një fabrikë në Azi e që përmbante një shtrydhëse frutash. Pak para se të paketohej dhe dërgohej, një punonjës i fabrikës, tështin mbi pako. Më pas virusi përhapet me shpejtësi siç po ndodh me koronavirusin.
Gjithashtu një tjetër film i vitit 2011 tregon skenarët që janë parashikuar nga shumë shtete për të parandaluar një pandemi. Bëhet fjalë për filmin “Contagion” që tregon sesi një virus misterioz vret miliona njerëz në të gjithë botën.
Ai fillon me një grua, që luhet nga Guineth Paltrou, e cila kthehet në Minesota me një sëmundje të çuditshme, pas një udhëtimi në Hong Kong. Brenda pak ditësh ajo vdes, duke e lënë të shoqin që në film luhet nga Matt Damon dhe fëmijën. Ndërkaq nuk kalon shumë kohë deri sa dhe të tjerë fillojnë të shfaqin të njëjtat simptoma, teksa ato përhapen përreth gjithë globit. Simptomat janë të njëjta ethe, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe komplikacione të tjera.
Përpos kësaj filmi tregon disa sekuenca se transmetimi i këtij virusit bëhet nga spërklat dhe më pas nga prekja e shumë sendeve. Kjo situatë është e njëjta edhe sot pasi shumë ekspertë kanë deklaruar se COVID-19 është përhapur në këtë mënyrë nga pështyma e njerëzve.
Në film, qeveritë pas rasteve të shumta me vdekje ndërmarrin masa shumë të ashpra. Ata mbyllin aeroportet, kufijtë, pezullojnë çdo aktivet kulturor, sportiv si dhe tubime apo grumbullime. Supermarketet dhe farmacitë janë të vetmet që qëndrojnë të hapura. Sot ky skenar është duke u përjetuar në shumë vende të botës.
Ajo që filmi nxjerr në pah është se mungesa e reagimit të shpejtë nga qeveria apo një pakujdesi mund të shkaktojë një seri ngjarjesh shkatërrimtare. Regjisori i filmit “Contagion”, Steven Soderbergh, është frymëzuar nga shpërthimi i SARS në vitin 2003.
Klan Plus