Finalja e Kupës, dalin në shitje biletat
Finalja e Kupës së Shqipërisë që do të luhet më 31 Maj do të jetë edhe mbyllja e këtij sezoni të Superligës. Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për takimin që Skënderbeu dhe Tirana do të luajnë në Elbasan Arena. Nga 3000 në tribunat vip deri në 300 sektorët pas portave. Trofeu i dytë për nga rëndësia i futbollit në Shqipëri do të vendosë në fushë bardheblutë që do të jenë me moralin e të mbijetuartit në Superligë ose të rënit nga kategoria dhe Skënderbeun që nuk arriti objektivin e titullit kampion.
Në dy realitete të kundërta skuadrat do të luajnë këtë finale jo për të justifikuar sezonin por për peshën e fanellës. Edhe më herët përfaqësues të Klubeve nuk e kanë anashkaluar rëndësinë që ka ky trofe për daljen në garat Europiane por edhe për të ardhurat financiare. Skënderbeu ka qenë edhe 4 herë të tjera në finale por nuk ka asnjë trofe të Kupës ndërsa Tirana ka koleksionuar 15 të tillë. Megjithëse Federata ka parashikuar edhe sektorët e tifozerive përkatëse të Skënderbeut dhe të Tiranës, nuk është ende e qartë nëse mbështetësit e bardhebluve do ti qëndrojnë pranë skuadrës në ndeshjen e fundit të sezonit.
/TV KLAN