Finalja e mbijetesës Vllaznia – Tirana
Një finale e një sezoni të vështirë është ajo mes Vllaznisë dhe Tiranës. Të dy ekipet synuan edhe zonën e kupave të Europës, por tani luajnë për mbijetesë. Një situatë që nuk mendohej vite më parë kur rivalizonin për titullin kampion.
Bedri Omuri një ish – futbollist i Tiranës në vitet 80’, me të cilën fitoi 4 herë titullin kampion, e quan të papranueshme këtë situatë.
Bedri Omuri:
“Është turp që këto dy ekipe diskutojnë mbijetesën, por jetojmë në një futboll që ka edhe pazare. Tirana ka probleme edhe prej administrimit.”
Ish – mesfushori i bardhebluve nuk shikon favorit në këtë sfidë.
“Nuk shikoj ndonjë ekip si të favorizuar. Tirana është më e kompletuar, por i duhet fitorja, ndërsa Vllaznia shpëton edhe me barazim.”
Vllaznia do të presë Tiranën të shtunën në “Loro Boriçi”, ndërsa ende nuk e kanë të sigurtë qendrimin edhe Flamurtari dhe Laçi, që luajnë me Korabin dhe Teutën. /TV KLAN