Firmat e inerteve shkatërrojnë monumentin e kategorisë së parë
Emisioni “Stop” u ndal këtë të premte për të folur për Urën e Zogut, një monument kulture i kategorisë së parë. Ura ndodhet mbi lumin Mat dhe që prej vitit 1927, ajo ka shërbyer si një komunikim shumë i rëndësishëm për zonat e veriut.
Për shkak të disa faktorëve dëmtues prej disa vitesh ura nuk shërben më, pra është e mbyllur nga të dyja anët. Veç kësaj, këmbët e urës kanë dalë në sipërfaqe, pasi subjekte të ndryshme ndërtimi kanë gërryer inerte në lumë, duke shkaktuar këtë dëm shumëdimensional.
“U restaurua dhe tani e kanë lënë vetëm për monument. Duhet me i ndaluar ata mos me i marrë inerte. Kemi kaluar me këmbë dhe bagëti, rrugë lidhëse më për gjithë zonën. Tani nuk shërben më prej 5-6 vitesh”, tha një banor.
“Pranë urës vetëm një subjekt është pranë zonës së Milotit”, tha Dritan Preçi, administrator i Milotit.
Zef Kola, një mësues në profesion dhe njohës i mirë i historisë së urës tregon se është bërë 70 vjeç dhe nuk i ka parë ndonjëherë këmbët e urës. Sipas tij, është marrë shumë zhavorr dhe është ulur shtrati i lumit. Është vendosur edhe një digë për kanalin vaditës dhe barriera ka ndryshuar rrjedhën e lumit.
“Ura me harqe është investim i qeverisë shqiptare të kohës. Vendimin për ta ndërtuar këtë urë e ka firmosur Fan Noli në Tetor 1924. Ajo që është bërë, janë bërë 70 vjeç pa i parë, pilotat e këmbëve të urës kanë dalë të gjitha, sepse është marrë shumë zhavorr dhe është ulur shtrati i lumit. Ulja e shtratit të lumit nga tërheqja e zhavorrit ka lëvizur grykën e marrjes së ujit për kanalin e Lezhës. Ata kanë vendosur për të krijuar një tip liqeni të vogël, i kanë vënë një barrierë me gurë të mëdhenj. Kjo barrierë ka ndryshuar rrjedhën e lumit nga rrjedha natyrore dhe rrjedhja natyrore i ka rënë kësaj këmbës që ka pësuar uljen. Shteti ka specialistë të zotë që ta bëjnë edhe një herë të re atë urë jo më ta meremetojnë dhe ta ngrenë atë urë. Unë për veten time do të isha partizan i ngritjes së urës. Domethënë kur të bjerë shtrati i urës në verë vijnë specialistët, e dinë ata si e bëjnë këmbën të re dhe si e çojnë në vend”, tha ai.
“Stop” iu drejtua Drejtores së Institutit të Monumenteve, Arta Dollani, e cila thotë, se inspektorët kanë shkuar menjëherë pas sinjalizimit nga pushteti lokal dhe kanë bërë një inspektim të hollësishëm të të gjithë problematikës së urës, ku ka çarje të rrugës dhe çedim të njërës prej këmbëve. Sipas zonjës Dollani, ura ka nevojë për një pjesëmarrje të shumë disiplinave për hartimin e një projekti, që të ndërhyhet.
“Është një urë e rëndësishme për zonën e veriut. Inspektorët kanë vajtur në terren pas sinjalizimit nga pushteti lokal dhe inspektorët tanë të drejtorive rajonale, kanë bërë një inspektim të rëndësishëm të urës. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor përveç monument kulture i kategorisë së parë. Si i tillë ka një problematikë shumë komplekse nuk është thjesht problem konstruktiv apo rindërtim i monumenteve. Ndodhet në një kontekst problematik. Ka nevojë për pjesëmarrjen e shumë disiplinave në hartimin e këtij projekti dhe aktualisht jemi duke bashkëpunuar duke ngritur grupin e punës së disiplinave që nuk i kemi në Institutin e Monumenteve që të hartojmë sa më shpejt me projektin”, tha Dollani, sipas të cilës do të hetohet edhe për shkaqet e dëmtimit të urës./tvklan.al