Fitore me shijen e humbjes në Maqedoni
Rezultatet e referendumit të së dielës janë lexuar nga të dyja palët si fitore në Maqedoni. Qeveria e quajti një votë pro integrimit europian, ndërsa opozita festoi pjesëmarrjen e ulët në kufirin e 36%. Për zv/kryeministrin, Bujar Osmani pjesëmarrja reflekton plotësisht vullnetin e popullit dhe është në respektim të kushtetutës së Repubilkës së Maqedonisë.
Bujar Osmani – Zv/Kryeministër i Maqedonisë:
600 mijë vota e tejkalojnë dukshëm pragun e nevojshëm ligjor prej 450 mijë PËR për ta legjitimuar procesin. Dmth me kushtetutë, me ligj duhen 450 mijë vota PËR që procesi të jetë legjitim. Ne kemi 600 mijë vota, 150 mijë vota më tepër se sa duhej për të legjitimuar procesin.
Strategjia e opozitës për të qëndruar larg fushatës, rezultoi fatale për Zoran Zaev. Megjithatë bojkotimi masiv i maqedonasve nuk e ndalon kryemnistrin të çojë përpara marrëveshjen me Greqinë. Kreu i qeverisë tha në fjalimin pas mbylljes së votimeve se procesi ishte i suksesshëm dhe se stafeta tashmë i kalon parlamentit, ku do të nevojiten 2/3 e deputetëve për të ratifikuar ujdinë e Prespës. Nëse parlamenti nuk e kalon referendumin, Zaev paralajmëroi zgjedhje të parakohshme, që mund të mbahen në fund të muajit nëntor.
Vendimtare rezultoi vota e shqiptarëve në referendum. Pasi e ndihmuan të marrë pushtetin, shqiptarët shpëtojnë për herë të dytë kryeministrin Zoran Zaev duke dalë masivisht në votime. Sipas KSHZ në Maqedoni, më shumë se 270 mijë qytetarë votuan në komunat me shumicë shqiptare, ku kampi pro fitoi me mbi 96%.
Tv Klan