Fitore pa shkëlqim e Kombëtares me Katarin, pësojmë gol në minutën e 1’
Kombëtarja fitoi testin e parë miqësor në përgatitjet që po zhvillon në Austri, në prag të finaleve të Kampionatit Europian. Përfaqësuesja kuqezi mundi me rezultatin 3 – 1 Katarin në takimin e zhvilluar në Hartberg, ku u mbështet nga tifozë të shumtë.
Skuadra e De Biasit tregoi një lojë të mirë sulmuese, por pati edhe probleme në disa momente në mbrojtje, por në për përgjithësi ishte një test pozitiv. Takimi nisi me disa lojtarë, të cilët janë zëvendësues aq sa kapiten ishte Hysaj. Mbrojtja shfaqi pasiguri, duke i lejuar Katarit të kalojë në avantazh që në minutën e parë.
Përpjekjet e Shqipërisë sollën rezultat në mesin e pjesës së parë. Ajeti realizoi golin e parë me Kombëtaren duke shfrytëzuar një krosim të Bashës. Lenjani realizoi përsëri pak para pushimit duke kaluar Kombëtaren në avantazh.
Në pjesën e dytë De Biasi bëri ndryshime në mesfushë dhe sulm. Balaj, Sadiku dhe Rashica në vend të Cikalleshit, Gashit dhe Lenjanit. Goli i tretë u realizua nga një zëvendësues. Sadiku goditi nga jashtë zonës duke befasuar portierin kundërshtar.
Një provë e kënaqshme e Shqipërisë edhe pse kundërshtari nuk ishte i një niveli të lartë. Ky takim ku u aktivizuan shumë lojtarë do të ndihmojë De Biasin që të vendosë 23 kuqezinjtë që do të marrë në Francë. Të premten e ardhshme do të jetë një tjetër miqësore, me Ukrainën në Bergamo.
Tv Klan